Komisioni Europian ka publikuar sot gjetjet kryesore të Raportit 2020 për Shqipërinë.
Për sa i përket kritereve ekonomike, Shqipëria është mesatarisht e përgatitur për zhvillimin e një ekonomie tregu funksionuese. Ndërsa rritja e PBB-së u ngadalësua për shkak të prodhimit më të ulët të energjisë hidroelektrike, sektorët e tjerë dolën mirë dhe papunësia vazhdoi të ulet në nivelet më të ulëta. Eksportet u rritën në mënyrë të qëndrueshme dhe raporti i borxhit publik me PBB-në vazhdoi të bjerë, por mbeti i lartë gjatë periudhës raportuese. Bankat vazhduan uljen e numrit të kredive me probleme dhe huadhënia për sektorin privat u rrit. Janë ndërmarrë hapa drejt zhvillimit të tregut financiar, por ndërmjetësimi financiar mbeti i ulët. Zbatimi i reformës gjithëpërfshirëse të drejtësisë ka përparuar mirë, por ende nuk e ka përmirësuar sigurinë ligjore për biznesin. Pandemia COVID-19 i ka përkeqësuar dobësitë strukturore dhe rënia ekonomike e shkaktuar prej saj ka eliminuar disa nga arritjet.
Shqipëria ka njëfarë niveli përgatitjeje për sa i përket kapacitetit për të përballuar presionin konkurrues dhe forcat e tregut brenda Bashkimit Evropian. Infrastruktura në energji, transport dhe komunikim digjital, si dhe rezultatet arsimore janë përmirësuar, por mbeten boshllëqe të konsiderueshme krahasuar me nivelet rajonale dhe evropiane. Konkurrenca e Shqipërisë pengohet nga mungesa e ekspertizës sipërmarrëse dhe teknologjike, një hendek i konsiderueshëm aftësish, institucione të dobëta dhe nivele të ulëta të investimeve dhe cilësisë së infrastrukturës. Integrimi në zinxhirët ndërkombëtarë të vlerës dhe eksportet mbetën nën potencialin. Për më tepër, konsolidimi i të drejtave pronësore dhe një kadastër plotësisht funksionale janë parakushte kritike për rritjen e investimeve dhe qasjen në financa, si dhe për të arritur konkurrencën e sektorëve të bujqësisë dhe turizmit.
Kriteret politike
Mjedisi politik në Shqipëri vazhdoi të shënohej nga polarizimi intensiv. Aktivitetet parlamentare u ndikuan nga heqja dorë e opozitës nga mandatet. Vazhdimësia institucionale sërish u sigurua përmes plotësimit gradual të vendeve të lira në parlament. Në fund të periudhës raportuese, Kuvendi kishte 122 nga 140 anëtarë. Opozita vendosi t’i bojkotojë zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019. Ato u mbajtën, ndërsa Presidenti kishte nxjerrë një vendim për ta shtyrë votimin për në tetor. Parlamenti nisi një procedurë fajësimi për Presidentin, që u finalizua në fund të korrikut 2020. Komisioni hetimor ad hoc i Parlamentit arriti në përfundimin se ndërsa Presidenti kishte tejkaluar kompetencat e tij kushtetuese, shkeljet nuk justifikonin fajësimin e tij. Ngërçi politik i vendit pa një zhbllokim në janar 2020, kur shumica qeverisëse dhe opozita parlamentare dhe jashtëparlamentare arritën një marrëveshje për ta çuar përpara reformën zgjedhore me krijimin e një Këshilli Politik, një platformë për të përfunduar bisedimet teknike dhe politike, si dhe për të zbatuar rekomandimet e pazgjidhura të Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE / ODIHR), duke garantuar financim transparent të partive politike dhe fushatave elektorale. Më 5 qershor 2020, Këshilli Politik arriti një marrëveshje të rëndësishme për futjen gradualisht të një administrate zgjedhore të depolitizuar, në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR-it. Palët ranë gjithashtu dakord për të futur identifikimin elektronik të të gjithë votuesve (aty ku teknikisht është e mundur), për të ristrukturuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe që Kolegji Zgjedhor të përbëhet nga gjyqtarë të verifikuar. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor u miratuan nga Parlamenti më 23 korrik 2020, në përputhje me marrëveshjen e 5 qershorit 2020, duke përmbushur kështu kushtin për Konferencën e parë Ndërqeveritare. Përveç kësaj, më 30 korrik Parlamenti miratoi disa ndryshime në Kushtetutë në lidhje me sistemin zgjedhor. Këto ndryshime nuk kanë lidhje me zbatimin e rekomandimeve të OSBE / ODIHR-it. Diskutimet mbi zbatimin e këtyre ndryshimeve në Kushtetutë vazhdojnë si në Parlament ashtu dhe mes partive në Këshillin Politik.
Më 9 qershor 2020, qeveria paraqiti në një takim të zgjeruar të Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian një plan veprimi për trajtimin e kushteve dhe përparësive të përcaktuara nga Konkluzionet e Këshillit të marsit 2020 për Shqipërinë. Më 6 maj 2020, qeveria emëroi Kryenegociatorin dhe ekipin negociator.
Shqipëria është mesatarisht e përgatitur për reformën e administratës së saj publike. Përpjekjet vazhduan në disa fusha përkatëse, duke rezultuar me njëfarë progresi në zbatimin e udhëzimeve për vlerësimin e ndikimit rregullator në ministritë e linjës, në zhvillimin e paketës legjislative në lidhje me planifikimin e politikave, në rritjen e numrit të shërbimeve elektronike dhe përmirësimin e transparencës në mbledhjen e të dhënave dhe menaxhimin e burimeve njerëzore ndërmjet nivelit qendror dhe vendor. Këto arritje të prekshme kanë nevojë për konsolidim të mëtejshëm. Qeveria duhet të shtojë veçanërisht përpjekjet për politikëbërje më të bazuar në prova, duke ndërtuar kapacitete administrative në ministritë e linjës për planifikimin dhe monitorimin e politikave, mbledhjen e të dhënave, si dhe përdorimin e vlerësimeve të ndikimit rregullator për të informuar për politika më të mira.
Sistemi gjyqësor i Shqipërisë ka njëfarë niveli përgatitjeje / është mesatarisht i përgatitur. Zbatimi i një reforme gjithëpërfshirëse dhe të plotë të drejtësisë ka vazhduar pa ndërprerje, duke rezultuar me një progres të mirë në përgjithësi. Institucionet e reja për vetëqeverisjen e gjyqësorit i kanë kryer detyrat e tyre, përfshirë menaxhimin e proceseve për të plotësuar vendet e lira në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. Këshilli i Lartë Gjyqësor përfundoi zgjedhjen e tre kandidatëve jomagjistratë për Gjykatën e Lartë, të emëruar më 11 mars 2019, duke mundësuar kështu funksionimin e njërës prej dhomave të Gjykatës dhe duke përmbushur kushtin përkatës për Konferencën e parë Ndërqeveritare. Procesi i përzgjedhjes për anëtarin e katërt jomagjistrat është pranë përfundimit. Kandidatët e tjerë për magjistratë janë në proces promovimi nga radhët e sistemit gjyqësor. Shqipëria po bën përparim për rindërtimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ka emëruar tre anëtarë të rinj. Kjo ka hedhura bazën që Gjykata Kushtetuese të rifitojë funksionalitetin – një kusht për Konferencën e parë Ndërqeveritare pranë përmbushjes – dhe të rrisë besimin e publikut. Në dhjetor 2019, Gjykata kishte në detyrë një gjyqtar nga nëntë, si rezultat i vetingut. Gjykata tani ka katër anëtarë. Pati një mosmarrëveshje në lidhje me procedurën e emërimit të njërit prej gjyqtarëve të fundit të emëruar. Komisioni i Venecias ka nxjerrë një opinion mbi këtë çështje, duke u siguruar autoriteteve shqiptare udhëzimet e nevojshme për të përfunduar emërimet e mbetura në Gjykatën Kushtetuese. Me katër anëtarët aktualë, Gjykata ka kuorumin minimal për të gjykuar mbi pranueshmërinë e çështjeve. Procesi i përzgjedhjes për tre poste të lira është në vazhdim. Procesi është prekur paksa nga kriza COVID-19, por pritet të përfundohet me përparësi. Përfundimi i emërimeve në Gjykatën Kushtetuese do të vazhdojë pasi Gjykata e Lartë të arrijë kuorumin e kërkuar prej tre të pestave të anëtarëve në detyrë, pasi kjo e fundit është autoriteti i tretë emërues së bashku me Kuvendin dhe Presidentin e Republikës. Prokurori i ri i Përgjithshëm është emëruar për herë të parë bazuar te procedurat e vendosura në reformën e fundit në drejtësi.
Krijimi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përfundoi në vitin 2019 me emërimin në dhjetor të Kryeprokurorit të Posaçëm. Me trembëdhjetë nga pesëmbëdhjetë Prokurorë të Posaçëm të emëruar, Zyra e Prokurorisë së Posaçme (SPO) është plotësisht funksionale. Më 30 korrik 2020, Këshilli i Lartë i Prokurorisë emëroi gjithashtu Drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (NBI), i cili ka nisur kryerjen e funksioneve të tij. Zhvillimet e mësipërme përmbushin kushtin për Konferencën e parë Ndërqeveritare.
Rivlerësimi i përkohshëm i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i vetingut) ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme, duke vazhduar të prodhojë rezultate të prekshme, si dhe duke përmbushur kështu kushtin për Konferencën e parë Ndërqeveritare. Nën kujdesin e Komisionit Evropian, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka vazhduar ta mbikëqyrë procesin. Deri tani janë përpunuar më shumë se 286 dosje, duke çuar në 62% shkarkime, kryesisht për çështje që lidhen me pasuri të pajustifikuara apo dorëheqje. Gjatë periudhës së izolimit nga COVID-19, institucionet e vetingut kanë vazhduar të kryejnë një numër aktivitetesh të rëndësishme hetimore në distancë. Institucionet e vetingut rifilluan dëgjimet publike në qershor 2020.
Shqipëria ka njëfarë niveli përgatitjeje në luftën kundër korrupsionit. Në periudhën raportuese është bërë progres i mirë. Autoritetet shqiptare kanë forcuar kapacitetet operacionale, koordinuese dhe monitoruese në luftën kundër korrupsionit, duke përmbushur kështu kushtin për Konferencën e parë Ndërqeveritare. Shqipëria ka vazhduar përpjekjet e saj drejt krijimit të një historiku të qëndrueshëm në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve të korrupsionit. Ndonëse vetingu i anëtarëve të gjyqësorit është një proces administrativ, është e rëndësishme të vlerësohen rezultatet konkrete të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit. Këto kanë përfshirë shkarkimin nga detyra të një numri gjyqtarësh të rangut të lartë, duke përfshirë nivelin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Në vitin 2019, pati dy dënime përfundimtare për korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve të tjerë të gjyqësorit. Në vitin 2019, pati 262 dënime të shkallës së parë që përfshinin zyrtarë të rangut të ulët apo të mesëm, përveç 294 dënimeve të shkallës së parë në vitin 2018. Në vitin 2019, pati 246 dënime përfundimtare në nivelin e apelit, që përfshinin zyrtarë të rangut të ulët apo të mesëm, përveç 289 dënimeve përfundimtare në vitin 2018. Janë bërë përpjekje të mëtejshme për krijimin e një historiku të qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit, ndonëse ky mbetet një objektiv afatgjatë që ende kërkon të tjera përpjekje të strukturuara dhe të vazhdueshme. Ndërsa numri i hetimeve në vazhdim mbetet i lartë, deri më sot dënimet përfundimtare në rastet që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë mbeten të kufizuara. Organet e specializuara antikorrupsion të porsathemeluara (SPAK dhe Gjykatat kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) pritet ta forcojnë ndjeshëm kapacitetin e përgjithshëm për të hetuar dhe ndjekur penalisht korrupsionin. Megjithatë, në përgjithësi, korrupsioni mbetet i përhapur dhe është një shqetësim serioz.
Shqipëria ka njëfarë niveli përgatitjeje në luftën kundër krimit të organizuar. Shqipëria ka bërë përparim të mirë në forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, përfshirë përmes bashkëpunimit me Shtetet Anëtare të BE-së dhe përmes planit të veprimit për trajtimin e rekomandimeve të Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF), duke përmbushur kështu kushtin për Konferencën e parë Ndërqeveritare. Operacionet policore për shpartallimin e organizatave kriminale janë intensifikuar më tej dhe është bërë përparim i mirë. Ashtu si në vitet e kaluara, edhe në vitin 2019 Shqipëria tregoi një angazhim të fortë dhe të vazhdueshëm për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e kanabisit. Shqipëria mundësoi futjen e një mekanizmi monitorimi mjaft ndërhyrës nga një vend i tretë (mbikëqyrje ajrore nga Guardia di Finanza italiane, bashkëfinancuar nga BE-ja). Bashkëpunimi ndërkombëtar i policisë, veçanërisht me Shtetet Anëtare të BE-së, gjithashtu është intensifikuar, duke çuar në një numër operacionesh të suksesshme të zbatimit të ligjit në shkallë të gjerë gjatë vitit 2019, që vazhduan edhe në vitin 2020. Bashkëpunimi mes policisë dhe prokurorëve u intensifikua më tej. U krijua Zyra e Prokurorisë së Posaçme, që u pajis me një numër mekanizmash të rëndësishme hetimore. Këta hapa përfaqësojnë njëfarë përparimi të prekshëm në përmbushjen e rekomandimeve të viteve të fundit për përmirësimin e historikut. Përpjekjet duhet të vazhdojnë për të siguruar rritjen e ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare, si dhe luftën kundër pastrimit të parave dhe konfiskimin e pasurive që burojnë nga krime e pasuri të tjera të pajustifikuara. Në luftën kundër pastrimit të parave, Parlamenti shqiptar miratoi në korrik 2019 “paketën Moneyval”, që synonte trajtimin e rekomandimeve të dhëna nga Moneyval në raportin e tyre për Shqipërinë të botuar në dhjetor 2018. Megjithatë, më 21 shkurt 2020, Task Forca e Veprimit Financiar (FATF) e renditi Shqipërinë për shtim të monitorimit dhe propozoi një plan veprimi të përqendruar te disa rekomandime të paplotësuara. Shqipëria ka ndërmarrë një angazhim të nivelit të lartë politik për të punuar me FATF-në për trajtimin e këtij plani veprimi dhe ka nisur zbatimin e masave të tij. Në këtë drejtim, në korrik 2020 u miratua në Parlament një ligj i ri mbi regjistrin e pronarëve përfitues. Është bërë përparim i mirë në luftën kundër terrorizmit dhe parandalimin / luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, përmes zbatimit të objektivave të përcaktuara në Planin e Përbashkët të Veprimit mbi Kundërterrorizmin për Ballkanin Perëndimor dhe marrëveshjen dypalëshe të zbatimit. Përpjekjet për zbatim duhet të vazhdojnë, veçanërisht në lidhje me pastrimin e parave.
Lidhur me të drejtat themelore, Shqipëria është në përputhje me instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe ka zhvilluar kuadrin e saj ligjor në përputhje me standardet evropiane. Gjatë periudhës së raportimit, Shqipëria bëri përpjekje për përmbushjen e detyrimeve që lindin në këtë kontekst. Megjithatë, zbatimi i përgjithshëm mbetet për t’u forcuar. Lidhur me zbatimin e Ligjit për Strehimin Social, pas një procesi të gjerë konsultimi u miratuan nëntë akte nënligjore. Kuadri ligjor në fushat e të drejtave të fëmijëve dhe drejtësisë për të mitur, gjithashtu u përmirësua me akte nënligjore. Vazhdojnë përpjekjet për zbatimin e një reforme gjithëpërfshirëse të sektorit të tokës dhe për konsolidimin e të drejtave të pronës. Në mars 2020 u miratua Ligji për Finalizimin e Proceseve të Pronësisë Kalimtare, duke marrë parasysh rekomandimet e Opinionit të Komisionit të Venecias të tetorit 2019. Duhet të vazhdojnë përpjekjet për të çuar përpara procesin e regjistrimit dhe kompensimit. Shqipëria duhet të miratojë me shpejtësi legjislacionin e mbetur zbatues në lidhje me Ligjin kornizë të vitit 2017 për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare. Shqipëria është gjithashtu në procesin e përgatitjes së ligjit për zbatimin e regjistrimit të ardhshëm të popullsisë. Për sa i përket lirisë së shprehjes, vendi ka njëfarë niveli përgatitjeje / është mesatarisht i përgatitur. Në dhjetor 2019, Parlamenti miratoi një sërë ndryshimesh në ligjin e medias, që synojnë të rregullojnë mediet në internet dhe disa aspekte të shpifjes për të cilat, në qershor të vitit 2020, Komisioni i Venecias nxori një mendim. Ndryshimet nuk janë në lartësinë e standardeve ndërkombëtare dhe parimeve të lirisë së medias dhe ngrenë shqetësime në lidhje me rritjen e censurës dhe vetëcensurës, si dhe në lidhje me pengesat e mundshme ndaj lirisë së shprehjes në vend. Përfaqësuesit e shumicës qeverisëse janë angazhuar publikisht të vazhdojnë më tej sipas udhëzimeve të Opinionit të Komisionit të Venecias. Aktualisht paketa antishpifje po rishikohet në dritën e Opinionit të Komisionit të Venecias.
Në lidhje me marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal, Shqipëria ka vazhduar të marrë pjesë aktive në bashkëpunimin rajonal dhe të mbajë marrëdhënie të mira fqinjësie. Shqipëria demonstroi angazhimin e saj për t’i dhënë një shtysë të re bashkëpunimit rajonal dhe rritjes së përgjegjësisë rajonale në samitet në Novi Sad, Ohër dhe Tiranë. Është e rëndësishme që nismat rajonale të përfshijnë gjithë partnerët në Ballkanin Perëndimor dhe të bazohen në rregullat e BE-së, duke u mbështetur tek angazhimet e marra më parë në kuadrin e CEFTA-s, Zonës Ekonomike Rajonale (REA) apo Traktatit të Komunitetit të Transportit.
Në lidhje me migracionin, është arritur njëfarë përparimi në përmirësimin e kapacitetit institucional për menaxhimin e kufirit dhe azilit. Kapaciteti i pritjes për t’u përballur me flukset e përziera të migracionit u rrit më tej dhe mbeti i mjaftueshëm për të akomoduar numrin e shtuar të mbërritjeve. Numri i kërkesave të pabazuara për azil, të paraqitura nga shtetas shqiptarë në BE, ka rënë, por mbetet i lartë dhe kërkon përpjekje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme, përfshirë trajtimin e fenomenit të të miturve të pashoqëruar. Shqipëria i ka vazhduar përpjekjet e saj për të trajtuar kërkesat e pabazuara për azil të paraqitura nga shtetasit shqiptarë në Shtetet Anëtare të BE-së dhe vendet e lidhura me Schengen-in.
Në vitin 2019 kishte rreth 2.7% më pak nga këto kërkesa të pabazuara për azil sesa në vitin 2018 dhe pothuajse 20% më pak sesa në vitin 2017. Ulja vazhdoi në dy muajt e parë të vitit 2020 (para COVID-19), me 35% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2019. Në periudhën janar-maj 2020, u paraqitën 3.305 kërkesa kundrejt 10.375 në të njëjtën periudhë në vitin 2019, çka përfaqëson një rënie prej rreth 74% të aplikimeve. “Përqindja e pranimit” (pra, numri i aplikimeve të suksesshme të shprehura si përqindje e të gjitha vendimeve) ishte rreth 6%, 1.6 pikë përqindjeje më pak se në vitin 2018.
Kjo çështje ka kërkuar dhe do të vazhdojë të kërkojë përpjekje të rëndësishme nga autoritetet shqiptare. Përveç fushatave informuese mbi të drejtat dhe detyrimet e regjimit pa viza, kontrolleve të plota kufitare, refuzimit të nisjes për qytetarët me mjete të pamjaftueshme dhe masave për trajtimin e arsyeve themelore, autoritetet shqiptare kanë forcuar dialogun dhe bashkëpunimin me vendet më të prekura. Në këtë drejtim, tre oficerë ndërlidhës të policisë shqiptare janë vendosur në BE për të shpejtuar riatdhesimin në Shqipëri, ndërsa një oficer ndërlidhës nga BE-ja është vendosur në Tiranë për të ndihmuar me kontrollet e daljes. /Monitor.al/