Bizneset në Kosovë që ia panë “hajrin” pandemisë

Sipas një studimi të publikuar në Sience Direct, bizneset që lidhen me argëtimin në internet, shpërndarjen e ushqimit, blerjet në internet dhe edukimin në internet kanë lulëzuar gjatë kësaj periudhe.

Marigona Xhigoli

Pandemia Covid-19 ka ndikuar në mënyra të ndryshme në biznese të ndryshme. Bizneset të cilat kanë zhvilluar veprimtarinë e tyre tash e disa kohë online, e kanë pasur më të lehtë funksionimin se bizneset të cilat nga biznese fizike gjatë karantinimit janë shndërruar në biznese online.

Reklama e sponzorizuar

Ndaj këtyre ndryshimeve janë ekspozuar shumë biznese edhe në Kosovë. Por, jo të gjitha po ia dalin me sukses. Anes Pakashtica, pronar i një argjendarie në Prishtinë, tregon se pas pandemisë ka filluar t’i përdorë rrjetet sociale si formë marketingu, mirëpo kjo nuk ia rriti atij shitjet.

Kemi tentu me punu po në fillim në muajin e parë e kemi vërejt që ka shumë rënie… Sikur me i vendos 300 euro sponsor dhe mos me përfitu asgjë”, thotë ai.

Bizneset që po “dhezin” në këtë kohë duket se janë platformat që ofrojnë shërbime online për blerje të ndryshme. Njëra nga to është “EBAA Online”, kompani që ofron shërbime online për konsumatorët në Kosovë. Edona Haxholli, nga Departameti i shitjeve online në këtë kompani, thotë se periudha e pandemisë ka rritur dukshëm numrin e kërkesave për blerje familjare.

Diku 90 për qind e shitjeve gjatë kësaj periudhe ishin për gjëra ushqimore dhe produkte higjienike.

Gjatë pandemisë pothuajse 90% e shitjeve kanë qenë në kategorinë ushqimore dhe higjiene. Ndërsa para dhe pas pandemisë për kategoritë si teknika, amviseria, tekstili shtëpiak dhe gjërat sezonale ka pasur shitje si zakonisht”, thotë ajo.

Ndër të tjera, ajo tregon se sfida më e madhe e punës online është vetëdijësimi i qytetarëve për blerjet përmes web faqeve.

Statistikat zyrtare tregojnë për rritje të blerjeve online nga kosovarët. Bazuar në publikimet e fundit nga Banka Qëndrore e Kosovës (BQK), vetëm përmes llogarive e-banking (online) prej janarit deri në qershor 2020 janë bërë gjithsej 2 milionë e 473 mijë e 650 kredit transfere. Ndërsa gjatë vitit të kaluar janë realizuar pagesa me vlerë 2 milionë e 397 mijë e 249 nga kjo platformë, që do të thotë në këtë kategori ka pasur rritje me përqindje 3.2 për qind.

Sipas ekspertit të rrjeteve sociale,Valon Kerolli, të gjitha llojet e bizneseve mund të funksionojnë përmes rrjeteve sociale.

Meqenëse shumica e njerëzve tanimë kanë llogari në rrjete sociale, atëherë edhe të gjitha llojet e bizneseve mund të gjejnë konsumatorët eventual të tyre aty. Me një fjalë, rrjetet sociale janë bërë të domosdoshme për çdo lloj të biznesit”, shton ai.

Përfitimi unik i marketingut në rrjete sociale për biznese të vogla është se mundësojnë që biznesi të komunikoj direkt me ndjekësit që mund të jenë klient potencial. Më shumë se 40% e konsumatorëve digjital, i përdorin rrjetet sociale për të hulumtuar marka dhe produkte të reja.

Periudha e pandemisë, krijimi i maskave “speciale” reklamimi dhe shitja e tyre në rrjete sociale i ka shërbyer pozitivisht edhe dizajneres Blerina Jahiri. Sipas saj, sfida më e madhe e shitjeve online janë kompanitë që bëjnë shitje të rrejshme.

Me këtë nënkuptoj që reklamojnë produkte kualitative dhe shesin diqka tjetër duke bërë që klienti të humb besimin në blerjet online”, u shpreh Blerina për Buletinin Ekonomik.

Sipas saj, gjatë pandemisë është rritur dukshëm kërkesa për blerje online ndërsa produktet më të kërkuara gjatë kësaj periudhe kanë qenë maskat dhe çantat.

Përhapja e pandemisë Covid-19, ka shkaktuar mbyllje të shumë tregjeve, marketeve, bizneseve, e veçanarisht në fushën e turizmit dhe hotelerisë. Mirëpo, në të njejtën kohë komunikimi në internet dhe blerjet online kanë shënuar një rritje të paparë. Sipas një studimi të publikuar në Sience Direct, bizneset që lidhen me argëtimin në internet, shpërndarjen e ushqimit, blerjet në internet dhe edukimin në internet kanë lulëzuar gjatë kësaj periudhe.

Sipas Valon Kerollit, rrjetet sociale si Facebook dhe Instagram e kanë lehtësuar procesin e shitjeve përmes tyre.

Rrjetet sociale si Facebook dhe Instagram tanimë e kanë bërë të mundur shitjen dhe pagesat direkt në këto rrjete sociale, prandaj nuk është edhe aq e vështirë. Ndoshta në Kosovë që njihet si një vend i përdorimit të madh të parave cash, si vështirësi mund të konsiderohet mënyra e pagesave përmes kartelave, por duket se bizneset e kanë gjetur një zgjidhje edhe për këtë duke përdorë “postat e shpejta”. Këtë e dëshmon edhe numri i madh i bizneseve të postave të shpejta që janë hapur në dy vitet e fundit.”

Se ka pasur rritje të kërkesës për të dërguar porosi, e pranojnë edhe pronarët e postave private. Shqiprim Haliti, pronar i Posta e Shpejtë– Falcon tregon se gjatë periudhës së pandemisë ka pasur 100 për qind më shumë kërkesa.

“Produktet më të shpeshta që i kemi transportuar në këtë periudhë kanë qenë veshmbathje dhe kozmetikë, mirëpo edhe maska të cilat i kemi trasportuar për herë të përgjatë kësaj periudhe”, thotë Haliti.

Mirëpo, sipas Shqiprimit, ka pasur edhe sfida me rastin e transportit të produkteve.

Ka qenë e vështirë për shkak se shumica e policve të trafikut nuk kanë qenë në dijeni që ne e kemi të lejuar qarkullimin dhe kemi hasur vështirësi sepse nuk na kanë lejuar të futemi në disa qytete”, tregon ai.

Ndryshe, fillimi i një biznesi online dhe hapja e llogarisë në rrjete sociale, është shumë e thjeshtë mirëpo sfidë për këto biznese mbetet mbledhja e konsumatorëve eventual dhe shitja e kënaqshme e produkteve që ofrojnë. /Buletini Ekonomik/