Një delegacion i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë i përbërë nga Arsim Janova, Kryesues i Bordit, Besim Sejfijaj, Selman Hoti dhe Izet Rushiti, anëtarë të Bordit, Petrit Pepaj, Drejtor Ekzekutiv dhe Ymridin Misini, kanë vizituar Bajgorën për të parë për së afërmi punimet që po bëhen për ndërtimin e parkut më të madh të prodhimit të energjisë nga era në Ballkan.
Delegacioni i ZRRE-së u prit nga Ilir Grapci, njëri nga pronarët në kompaninë SOWI Kosovo, ndërmarrje e përbashkët kosovare, gjermane dhe izraelite, ndërmarrje kjo që është duke vazhduar ndërtimin e tri parqeve për prodhimin e energjisë nga era në Bajgorë.
‘Zbatimi i projektit të ndërtimit ka vazhduar sipas planifikimeve. Projekti pritet të përmirësojë furnizimin me energji elektrike në Kosovë. Përveç prodhimit të energjisë më se të nevojshme elektrike, të gjelbër dhe pa ndikim në mjedis, projekti do të ndihmojë zhvillimin ekonomik të komunitetit dhe rajonit të Bajgorës në përgjithësi’, tha Ilir Grapci.
Tutje në njoftim thuhet se, projektet e SOWI Kosovo janë cilësuar për standarde të larta pozitive dhe miqësore për mjedisin dhe synojnë kapacitetin e përgjithshëm prodhues prej 105 megavatesh.
“Projektet parashohin vendosjen e gjithsej 27 turbinave nga prodhuesi i mirënjohur General Electric në rajonin e Selacit në Bajgorë, dhe ndërtimi i tij pritet të përfundojë në vitin 2021, kur edhe do të fillojë prodhimi i energjisë elektrike dhe shpërndarja në rrjetin elektrik të Kosovës. Në ndërtimin e projekteve është e përfshirë ndërmarrja NOTUS Energy nga Gjermania.Vlera e përgjithshme investive e projekteve është 187 milion euro, 58 milion nga të cilat janë siguruar përmes kredisë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH”, thuhet në njoftim.
Më tej në njoftim thuhet se “Ky është projekti më i madh i sektorit privat që BERZh ka nënshkruar në Kosovë deri më tani”.
“Në tërësi, BERZH ka investuar 413 milionë euro në Kosovë. Përveç financimit nga BERZH, projektet financohen edhe nga Erste Bank dhe NLB Group deri sa 30% e pjesës së mbetur financohet nga pronarët e projektit.
Kur të përfundojnë projektet në Bajgorë do të përfaqësojnë rreth 10 për qind të kapacitetit të energjisë në vend dhe do të ndaloj emetimin e 247 mijë ton dyoksid karboni në vit”, vijon njoftimi.
Sipas njoftimit, ky do të jetë centrali energjetik më i madh i ndërtuar në Kosovë që nga vitet 80-ta dhe paraqet një hap të madh në tranzicionin e energjisë në Kosovës.