Përfaqësues nga Departamenti amerikan i Energjisë janë takuar sot me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin, pak javë pas nënshkrimit të marrëveshjes në Shtetet e Bashkuara, raporton Gazeta Express.
Ambasada amerikane në Prishtinë lajmin e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në rrjetin social Twitter.
Në njoftim thuhet se delegacioni ndërinstitucional u takua me Hotin për të diskutuar lidhur me marrëveshjen dhe mbështetjen e SHBA-së si dhe për hapat e ardhshëm për një studim të fizibilitetit të menaxhimit të burimeve në Liqenin e Ujmanit.
Për marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë sot do të diskutohet edhe në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës që pritet të mbahet pasdite.
Qeveria e Kosovës do ta mbajë sot mbledhjen e radhës, ku ndër tjerash, do të shqyrtohet edhe një propozim-vendim lidhur me marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.
Në mbledhje, Qeveria pritet ta miratojë planin për zbatimin e marrëveshjes për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas marrëveshjes së Uashingtonit të nënshkruar më 4 shtator.