Agron Demi nga Instituti GAP në emisionin DESKU në KTV ka thënë se Qeveria e Kosovës është treguar ndër të paaftat për të reaguar ndaj krizës ekonomike që u shkaktua nga pandemia.
“Buxheti i shtetit u aprovua pak javë më parë para se të merreshin masat e para ndaj pandemisë andaj nuk ishte linja buxhetore në buxhetin e vitit 2020 për me u adresuar sfidat kryesore të ekonomisë”, ka thënë Demi. “Buxheti atëherë kaloi paprobleme për shkak se dy partitë kishin shumicën e mjaftueshme në Kuvend. Me qarjen ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes u bë e pamundur që të aprovoheshin pakot ekonomike, qoftë ajo e para me 15 masa, apo ajo e dyta e Qeverisë Hoti e cila u quajt Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike”.
Ai thotë se të dyja pakot u zvarritën për një kohë shumë të gjatë, dhe kjo ndikoi shumë të bizneset për shkak se pakoja e parë që u quajt emergjente ka qenë për muajt prill dhe maj dhe ka ende tash që ende nuk janë bërë transferet e nevojshme për ata dy muaj.
“Ne jemi gati në fund të muajit tetor dhe ende ka biznese dhe punëtorë që u janë premtuar shtesat prej 170 euro dhe ende nuk i kanë marrë të gjitha. Qeveria e Kosovës ka qenë një ndër më të paaftat apo më të ngadaltat për të reaguar ndaj krizës ekonomike”, ka thënë Demi.
Gjithashtu Demi ka thënë se duhet me e përmendë se në fillim të pandemisë ka qenë një vendimmarrje shumë e shpejtë, ato 15 masa që janë marrë më 30 mars 2020 nuk kanë qenë ideale por kanë qenë të mira për kohën dhe shpejtësinë me të cilën janë marrë.
“Madje edhe raportet e FMN-në edhe data bazës së Yale University e vlerëson Kosovën për shpejtësinë e ndërmarrjes së masave për me i zgjidhë problemet ekonomike të shkaktuara nga pandemia”, ka thënë ai.
Sipas tij përplasjet politike ndikuan që ndryshimet buxhetore të zvarriten, pakoja e re e rimëkëmbjes të zvarritet dhe tash është bërë thuajse shou serik mos aprovimi i ligjit për rimëkëmbje ekonomike.
Demi: Rënia në ndërtimtari 47%, në gastronomi mbi 25%
Agron Demi nga Instituti GAP ka thënë se ka pasur rënie të veprimtarisë ekonomike në Kosovë këtë vit. Sipas tij, sektori i ndërtimtarisë dhe ai i gastronomisë janë më të prekurit.
“Sektori i ndërtimtarisë është prekë më së shumti, diku në këtë vit ndërtimtaria ka pësuar rreth 47 për qind në krahasim me vitin e kaluar dhe kjo ka ndodhë në kohën kur është periudha e punës, sezoni e verës dhe tash po hyjmë në muajt e dimrit kur ndërtimtaria edhe nëse hapet gjithçka, do ta ketë vështirësi për shkak të kohës së ftohtë”, ka thënë ai në DESKU të KTV-së.
Demi shton se ka pësuar edhe transporti, njëjtë si gastronomia me 25 për qind rënie.
“Sektor tjetër që ka pësu shumë është gastronomia dhe transporti, ku ka rënie mbi 25 për qind. Është rritë konsumi i produkteve bazë, njësitë shtëpiake, familjet, janë duke konsumu shumë më shumë produkte bazë sepse importi i produkteve medicinale, drithërave, pemëve dhe perimeve është rritë dukshëm. Familjet në Kosovë janë duke konsumuar më shumë produktet e përditshme, kurse ka ra importi i produkteve më të avancuara, siç janë teknologjia apo automjetet, ku ka rënie të madhe. Kjo ka prekë industritë të cilat janë marrë me atë fushë”, ka thënë Demi.
Ai ka thënë se si pasojë e shtyrjeve të vendimeve nga institucionet, rënies së aktivitetit ekonomik, ka pasur rënie edhe tek të hyrat buxhetore, me 584 milionë euro më pak të hyra këtë vit.
“Njësoj ka rënie të madhe të të hyrave buxhetore, qoftë për shkak të shtyrjeve me vendime të qeverisë dhe të komunave, qoftë për shkak të rënies së aktivitetit ekonomik, bizneset nuk kanë mund me raportu në ATK dhe me i paraqitë të hyrat të cilat i kanë paraqitë vitet e mëhershme. Vetëm për gjashtë-mujorin e parë të këtij viti ATK ka inkasu 11 për qind më pak se vitin e kaluar, apo rreth 584 milionë euro janë më pak të hyra”, tha Demi.