Dhjetëra kompani ofertojnë për të blerë IPKO-n

Dhjetëra kompani kanë ofertuar për blerjen e kompanisë mobile IPKO nga Telekomi i Sllovenisë, por që emrat e blerësve potencialë nuk i ka ende Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

Për ofertën e Telekomit të Serbisë dhe të një kompanie tjetër vendore që ka vepruar në tregun e telefonisë mobile, që përveç “Valës” dhe IPKO-s është edhe kompania “Z-Mobile”, është diskutuar të martën në mbledhjen e Komisionit për Ekonomi.

Anëtari i Bordit të ARKEP-it, Shqipërim Pula, ka thënë se në mesin e muajit nëntor do të njoftohen me emrat e blerësve potencialë. Ai ka folur rreth mundësisë që në tregun e Kosovës të hyjë Telekomi i Serbisë, raporton KOHA.

Reklama e sponzorizuar

“Nuk vjen në konsideratë që ata të hyjnë në Kosovë derisa jam unë, nuk e them për patriotizëm”, ka thënë Pula.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se atij i intereson nëse do të ketë garanci për shfrytëzimin e aseteve të IPKO-s.

Anëtarët e Bordit të ARKEP-it janë pyetur edhe për ofertën e një kompanie vendore që vepron në tregun e telekomunikacionit për blerjen e IPKO-s. Përveç IPKO-s dhe “Valës”, vepron edhe Kompania “Z-Mobile”, e cila ka fituar procesin e Arbitrazhit ndaj Telekomit, duke përfituar 32 milionë euro si dëmshpërblim.

Por, për këtë anëtari i Bordit të ARKEP-it ka thënë se nuk komenton emra pa pasur informata zyrtare.

Ai ka bërë të ditur se ARKEP-i do të kërkojë hetim nga Inteligjenca Financiare dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) për prejardhjen e parave dhe të kaluarën e blerësve potencialë.

Telekom Slovenije e ka nxjerrë në shitje IPKO-n në mesin e korrikut të vitit të kaluar. Ai këshillohet nga “Erste Group”, me bazë në Austri, në procesin e shitjes së aksioneve, si pjesë e strategjisë së përgjithshme të operatorit për t’u larguar nga tregu i Kosovës deri në 2023.