Drejtori i Thesarit thotë se paratë e buxhetit të Kosovës janë të sigurta, ato po ruhen në BQK

Mbi 2 milionë euro u vodhën më 9 tetor nga kuleta e Shtetit. Kjo dyshohet se u bë nga zyrtari i këtij institucioni financiar tashmë i arrestuar, Labinot Gruda.  

Ai përmes katër transaksioneve dyshohet se e dërgoi këtë shumë të parave në një llogari të një kompanie private në Drenas brenda tetë minutave.

Por, drejtori i Thesarit të Kosovës, Ahmet Ismaili tha se paratë tjera të buxhetit të Kosovës tanimë janë të sigurta në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK).

Reklama e sponzorizuar

Për këtë sipas tij janë bllokuar edhe qasjet në llogaritë ku edhe dyshohet se janë transferuar mbi 2 milionë euro.

“Paratë e buxhetit të Kosovës janë të sigurta. Ato ruhen në BQK. Ky ka qenë një rast i izoluar. Janë bllokuar të gjitha qasjet dhe gjithçka është nen kontroll”, u shpreh Ismaili.

Megjithatë Ismaili, nuk ka treguar nëse është intervistuar apo jo nga Prokuroria lidhur me këtë rast, por ai tha se u kanë ofruar të gjitha dëshmitë dhe informatat për këtë rast organeve të drejtësisë.

“Të gjitha dëshmitë dhe informatat e kërkuara janë ofruar nga përgjegjësit  tek organet e drejtësisë, në bashkëpunim maksimal. Të kemi besim se organet e rendit do t’a bëjnë punën e tyre dhe të gjithë përgjegjësit të marrin dënimin e duhur”, ka potencuar më tej Ismaili për Gazetën Objektiv. 

I pari i Thesarit të Shtetit ka bërë të ditur se aktualisht ndodhet në pushim mjekësor, meqë është diagnostikuar me virusin Covid-19.

Kujtojmë, se lidhur me transaksionin e mbi 2 milionë eurove nga Ministria e Financave, janë të përfshirë 40 persona të dyshuar.

Gruda të enjten para trupit gjykues ka thënë se është e pamundur të kryhet ky transaksion brenda atyre minutave.

“Unë çdo herë i kam përmbushur detyrimet e mia sipas përshkrimit të vendit të punës dhe asnjëherë nuk i kam tejkaluar ato. Nëse më kishte pyetur në mënyrë reale se si kishte mundur të vije deri tek ky transaksion, e që këtu në kërkesë është se: ”nga ora 12:11 min, deri në ora 12:19 min”, është kryer ky transaksion, apo këto transaksione, unë ju them se është diçka e pamundur”, ka thënë mes tjerash Gruda.