Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli, ka deklaruar para Komisionit Hetimor për privatizim se përmes falsifikimit të dokumenteve të tokave në Kosovë, Serbia ka pasur projekte për kolonizimin e Kosovës.
Dugolli, që ishte ftuar në intervistim nga ky Komision, ka deklaruar se Serbia u ka vendosur taksa pronarëve kosovarë të tokave dhe përderisa dokumentacioni u ishte asgjësuar, kosovarët është dashur ta blejnë tokën e vet.
“Edhe në Serbinë e parë dhe të dytë, edhe në ish-Jugosllavi, procesi i kolonizimit ka vazhduar. Dokumentacioni është asgjësuar dhe pasuria e kosovarëve nuk është kthyer. Ka pasur edhe raste kur njerëzit është dashur ta blejnë tokën e vet”, ka deklaruar ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë.
Dugolli ka potencuar se ka pasur kritika edhe për aspektin politik dhe juridik se duhet të definohej prona e secilit.
“Në 2004 kam qenë në ShBA, dhe kam përfaqësuar bindjet e mia që ShBA-të të përfshihen në këtë proces. Kam kërkuar që ata të udhëheqin këtë proces, dhe jo BE-ja. Për shkak që kemi qenë të deleguar cdo shqetësim që është ngritur e kemi adresuar. Kur është sqaru aspekti i pronës, ka pasur kërcenime me padi ndërkombëtare për këtë cështje. Unë po ashtu në këtë kohë kam kërkuar që AKM-ja të shëndërrohet në agjenci qeveritare”, ka shtuar tutje ai.