Kanë kaluar 3 muaj qëkur Qeveria e Kosovës ka miratuar draft-planin e veprimit për testime për COVID-19, plan me të cilin parashihen të rriten kapacitetet për testim.
“Numri në rritje i rasteve pozitive në muajin qershor dhe në fillim të muajit korrik 2020, i shoqëruar me një ngritje edhe të numrit të të vdekurve nga infeksioni, ka nxitur MSH-në që në zbatim të programit qeverisës të përgatisë planin e veprimit të testimeve COVID-19. Pas analizave të gjithanshme të raporteve e dokumenteve nga IKSHPK, OBSH, ECDC, si dhe dokumente të tjera relevante, grupi profesional i MSH-së u përcaktua për një objektiv kryesor të planit të veprimit, që është rritja e mbulueshmërisë së popullatës në testime për COVID-19”, kishte deklaruar më 9 korrik, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Përgjatë këtyre muajve, disa herë është premtuar që në kuadër të rritjes së numrit të testimeve do të nisë realizimi i testimeve PCR për COVID-19 edhe në qendrat rajonale nëpër komuna, por kjo ende nuk ka ndodhur, raporton KOHA.
Qendra Rajonale e IKSHPK-së në Prizren, ndonëse është bërë gati për t’i filluar testimet, ende nuk ka pranuar aparaturën për këtë. Drejtori i saj, Fadil Kryeziu, përmes telefonit ka thënë se nga Ministria e Shëndetësisë kanë marrë vetëm një njoftim se deri më 15 nëntor do të sillen aparaturat për ta realizuar këtë testim.
Ndërkohë, qytetarët vazhdojnë të presin me ditë të tëra për rezultatet e testimeve në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.
Disa qytetarë, në kushte anonimiteti, kanë treguar që kanë pritur 3 ditë për t’i marrë rezultatet e testimeve.
Kosova vazhdon të mbetet ende vendi me më së paku teste të realizuara në rajon, ndonëse vetëm të shtunën numri i mostrave të testuara ka shkuar në 1 mijë e 28.
Në lidhje me këtë dhe për rritjen e kapaciteteve për testime nuk është përgjigjur Instituti Kombëtar. Përgjigje nuk ka kthyer as MSH-ja, e cila më herët kishte thënë se ende nuk kanë ndonjë datë se kur do fillojnë testimet, por që deri tani kanë blerë disa aparatura.
Në 24 orët e fundit, nga 818 mostra të testuara në IKSHPK e në laboratorë privatë, 130 kanë rezultuar pozitive. Derisa, me një rast fatal në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, numri i të vdekurve ka arritur në 657.
Sipas IKSHPK-së, deri tani, totali i rasteve pozitive ka shkuar në mbi 17 mijë, prej të cilëve mbi 14 mijë kanë arritur të shërohen.