Ministrat e Financave të G20-s dhe krerët e bankave qendrore zhvilluan sot një takim të kushtuar rimëkëmbjes së ekonomisë globale të rënduar nga pandemia e COVID-19 dhe zgjatjes së moratoriumit për borxhin e vendeve të varfra.
Pas takimit, G20 njoftoi një zgjatje gjashtëmujore të moratoriumit për borxhin e vendeve më të varfra, të goditura rëndë nga pandemia e COVID-19.
“Ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të G20 kanë rënë dakord të zgjasin iniciativën për të pezulluar me gjashtë muaj shërbimin e borxhit të vendeve më të prekura, për të mbështetur luftën e tyre kundër pandemisë së COVID-19”, tha grupi në Twitter.
Këto diskutime virtuale, të kryesuara nga Arabia Saudite, vijnë një ditë pas përditësimit të parashikimit nga FMN, që njoftoi një recesion prej 4,4% të ekonomisë globale për vitin 2020 dhe paralajmëroi se pasojat e krizës do të zgjasin për disa vjet./atsh