Ditët e fundit janë rritur ndjeshëm rastet me Koronavirus në Kosovë, shkruan Gazeta Blic. Vetëm gjatë ditës së sotme u regjistruan 284 raste të reja, situatë kjo që mund të sjellë edhe një mbyllje të dytë në vendin tonë.
Por kundër mbylljes totale po shprehet eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu.
Gërxhaliu thotë se një mbyllje e dytë do ta shkatrronte ekonominë e brishtë të vendit tonë.
“Në këtë drejtim, sektori privat dhe qytetarët janë para sfidave të mëdha dhe një mbyllje e re eventuale kishte me qenë shkatërruese për ekonominë. Besoj që në këtë drejtim duhet të shtohet kontrolli dhe duhet t’i përmbahemi rekomandimeve të IKSHPK-së, mbyllja kishte me qenë akti i fundit që kishte me e shkatërru ekonominë edhe ashtu të brishtë të Kosovës”, shtoi Gërxhaliu për Gazeta Blic.
Ai thekson se derisa vendet e rajonit kanë bërë hapa progresiv për të përballur pasojat e pandemisë, në Kosovë po dominon agjenda politike.
“Vendet e rajonit dhe më gjerë kanë bërë hapa shumë progresiv dhe të avancuar për të përballuar pasojat e pandemisë, e për t’i mbështetur bizneset në Kosovë, dominon agjenda politike, interesat e partive politike dhe grupeve të caktuara të interesit e nuk votohet një projektligj më i thjeshti për rimëkëmbjen ekonomike”, deklaroi Gërxhaliu për Gazeta Blic.
Gërxhaliu konsideron se nuk duhet të mirret hapi i mbylljes totale por duhet të mirren hapa të tjerë që të shpëtohet ekonomia.
“Definitivisht, bizneset dhe qytetarët kanë pasur mbështetje minore, dhe qeveria e Kosovës nuk është në gjendje me ba ma shumë për bizneset dhe qytetarët, enëse ndodh edhe mbyllja totale atëherë kjo kishte me sjellë kolapsin e ekonomisë kosovare e sfidat veçse do të rriteshin sepse veç se jemi të vonuar në rimëkëmbje sepse ka mungesë të zgjatjes së dorës së shtetit për qytetarët e bizneset, e duhet të avancohet bashkëpunimi mes akterëve relevantë e jo lufta për pushtet“, përfundoi Gërxhaliu .