Shyqyri Haxha, ish-kryeshef ekzekutiv i PTK-së, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se me vendim të ish-ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, është bërë ndërprerja e njëanshme e kontratës së PTK-së me AMDOCS.
Ky reagim i Haxhës vjen pas ngritjes së aktakuzës nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”.
“Dokumentet me fakte janë në arkivë të PTK-së ku zyrtar kompetent ligjor dhe përshkrues janë: Gëzim Pajaziti – Auditor i Brendshëm, Sebahedin Ramaxhiku – Drejtor i Legales, Xhevdet Smakiqi -Menaxher Ligjor për çështjet Ligjore dhe Rregullatorit dhe anëtarët e bordit të cilët kanë qenë kategorikë që projekti mos të ndërpritet. I ftoj këta zyrtarë dhe të gjithë anëtarët e bordit të deklarohen rreth këtij projekti”, ka shkruar Haxha.
Tutje ai ka shtuar se këta zyrtarë më lartë me dëshmi/shkrim i kanë dërguar përmes KE-së, pra zyrës sime, dhe bordit sqarimet ligjore që ndërperja e kësaj kontrate me AMDOCS me vendim të njëanshëm të Ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala që e detyron PTK-në të ndërprejë kontratën pas përmbylljes së procedurave të prokurorimit dhe nënshkrimit të kontratës do të rrezikojë t’i shkaktojë dëme milionëshe PTK-së.
“Kontrata kishte filluar qysh në vitin 2007, të gjitha procedurat e prokurimit kishin përfunduar pa asnjë shkelje, e nënshkruar nga drejtori i prokurimit dhe e publikuar në media për gjithë procesin e prokurimit dhe dhënies së kontratës kompanisë së cekur më lartë. Pasi janë kryer të gjitha këto procese të rregullta ky projekt është ndërprerë edhe pas largimit tim nga PTK bordi dhe menaxhmenti kanë punuar ngusht me Qeverinë që mos ta ndalin këtë projekt sepse PTK-ja pa këtë projekt nuk kishte mundësi të ofrojë shërbime të avancuara dhe të konkurrojë me IPKO-n dhe operatorë të tjerë”, ka shkruar ai.
Ai ka shtuar se, “kjo kërkesë e menaxhmentit të PTK-së dhe bordit të PTK-së nga ana e Ahmet Shalës u injorua me qëllim apo me dashje nuk e di, por ndërprerja është bërë nga ministri i cekur bashkë me Qeverinë në emër të privatizimit të dështuar. Pra, faji kryesor i ndërprerjes së kësaj kontratë janë ata që dëmtuan PTK-në në vazhdimësi me vendime strategjike të dëmshme për PTK-në”.
Sipas tij implementimi i asaj marrëveshje do t’i sillte shumë përfitime PTK-së.
“Sipas ekspertëve implementimi i saj, pra i platformës së faturimit nga kompania me renome ndërkombëtare AMDOCS do ta rriste kapacitetin, cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve të PTK-së, ku synim kryesor kishim atë kohë mbajtjen lider të PTK-së në Kosovë dhe rajon për sa i përket produkteve dhe shërbimeve. Me siguri Ahmet Shala duhet t’i përgjigjet secilit zyrtar të shtetit dhe drejtësisë se pse e detyroi PTK-në që ta ndërprejë këtë projekt sipas ekspertëve të dobishëm dhe në favor të PTK-së. Ekspertët e faturimit në PTK gjithashtu e kanë dëshmuar se sa i domosdoshëm ka qenë një projekt i tillë. Ndërprerja e këtij projekti por edhe i projekteve të tjera ka dëmtuar rëndë PTK-në”, ka shkruar Haxha.
Ai thotë se shumë projekte u ndalën njëanshëm në emër të privatizimit të PTK-së.
“Për ata që nuk e dinë. Ky vendim i njëanshëm i ministrit Ahmet Shala që ta ndërprejë këtë kontratë të PTK-së, pas largimit tim nga PTK-ja e ka dërguar PTK-në në Arbitrazhin e Londrës dhe nga kërkesëpadia prej 18 milionë eurosh PTK-ja nga vendimi i Arbitrazhit të Londrës për vendimin e Qeverisë përmes ministrit e Ahmet Shalës ka paguar rreth 10 milionë euro kurse projekti ka dështuar në dëm të PTK-së. Jo vetëm ky projekt por edhe projekti i fijeve optike, Post Bankës dhe projekte tjera ka dëmtuar vlerën e PTK-së rëndë. Pra, u ndalën projektet njëanshëm në emër të privatizimit të PTK-së dhe privatizimi nuk ndodhi kurrë dhe prapë vazhdoi ndërprerja e këtij projekti”, ka thënë Haxha.