Kryeministri Avdullah Hoti ka njoftuar se Qeveria e Kosovës është duke i bërë përgatitjen për përballjen me valën e dytë të COVID-19.
Vetëm dje në Kosovë kanë qenë 148 raste të reja pozitive me COVID-19.
Kryeministri Hoti ka njoftuar se duhet të ketë solidaritet të plotë, në mënyrë që të evitohet mbyllja totale.
Ai ka treguar për hapat që janë marrë deri më tani për t’u përgatitur në këtë përballje të re. Është rritur numri i shtretërve, është rritur kapaciteti i testimeve si dhe në shkolla është rritur dukshëm kontrolli.
Lexoni njoftimin e plotë të kryeministrit Avdullah Hoti:
Kujdes maksimal për ta përballuar valën e dytë të covid-19
Evropa dhe vendet e rajonit tanimë janë përfshirë nga vala e dytë e pandemisë nga covid-19. Në Kosovë, shifrat e të prekurve nga dje janë bërë treshifrore, ndërkaq numri i të prekurve brenda 24 orëve është dyfish më i lartë se numri i të shëruarve.
Institucionet tona po bëjnë të gjitha veprimet e nevojshme, por na duhet kujdes maksimal dhe solidaritet i plotë për të evituar mbylljen totale:
- SHSKUK ka planin për aktivizim të shtretërve shtesë në Prishtinë dhe në spitale regjionale, si dhe është bërë plani për ri-shpërndarjen e stafit mjekësor sipas nevojës.
- Janë rritur kapacitetet testuese, duke mundësuar që pothuajse të gjithë ata që kanë nevojë për testim të testohen brenda ditës, dhe testimi së shpejti do të decentralizohet në regjione.
- IKSHPK ka ngritur struktura rajonale të inteligjencës për të identifikuar vatrat infektive.
- Në shkolla ka kontroll të shtuar.
- Po rishikohen lista e vendeve me rrezik për të ndaluar udhëtimin nga ato vende, gjithmonë duke u bazuar në protokollet përkatëse.
- Janë aktivizuar inspektoratet përkatëse për të mbikëqyrë zbatimin e masave.
- Në baza të rregullta javore po koordinohemi me partnerët ndërkombëtarë që janë duke na mbështetur në përballimin e situatës.
Por, na duhet të tregojmë kujdes maksimal në punë, në shkollë, në biznes, në rrugë dhe në çdo aktivitet ku ka grumbullim të njerëzve. Duhet të kemi mirëkuptim për të evituar të gjitha tubimet publike të çfarëdo natyre, ashtu siç rekomandohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK