Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka shkarkuar nga detyra e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës, Ibrahim Xhakën. Në vend të tij e ka emëruar Bajram Rexhën.
Njëjtë ka bërë edhe me drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezain. Në vend të tij e ka emëruar Ekrem Hysenajn.
“Në përputhje me kompetencat ligjore dhe bazuar në rekomandimet e Ministres së Financave, sot Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka marrë vendim për t’i liruar nga detyra ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës të Kosovës dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës. Në përputhje me ligjet përkatëse në fuqi, Kryeministri Hoti ka emëruar Bajram Rexha, ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës të Kosovës, dhe Ekrem Hysenaj ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Para pak orësh, Hoti ka shkarkuar edhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Rashit Qalaj dhe në vend të tij ka emëruar Samedin Mehmetin.