Ish-ministri Beqaj refuzon të përgjigjet për privatizimin e KEDS-it

Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, gjatë raportimit në Komisionin për Privatizim, ka refuzuar të përgjigjet në pyetjen e deputetit Hekuran Murati lidhur me çmimin me të cilin është blerë KEDS-i.

Murati ka pyetur nëse çmimi prej 26.3 milionë eurosh ka qenë çmim i tregut apo çmim i lirë.

Beqaj ka thënë se nuk mund të përgjigjet pasi është në proces gjyqësor. Ai ka thënë se për çështjet që kanë të bëjnë me KEDS-in ai mund t’i përgjigjet vetëm Gjykatës.

Reklama e sponzorizuar

“Këto janë pjesë e dokumentacionit që është në Gjykatë prandaj nuk përgjigjem. Për çështjet që kanë të bëjnë me KEDS-in unë do t’i përgjigjem vetëm Gjykatës. Unë nuk kam refuzuar me ju përgjigj as nuk po refuzoj por jam në një proces gjyqësor dhe mund të ketë implikim prandaj nuk përgjigjem”, ka thënë ai.

Deputeti Hajrullah Çeku ka thënë se Beqaj nuk po hetohet penalisht dhe do të duhej të përgjigjej.

“Ju po vazhdoni të refuzoni të përgjigjeni, këtu nuk jeni duke u hetuar penalisht, jeni në një komision hetimor parlamentar që është i rregulluar me ligj të veçantë prandaj për sa nuk ndikon në proceset gjyqësore ju jeni i obliguar të përgjigjeni”, ka shtuar tutje ai.

I pyetur nga deputeti Gazmend Bytyqi nëse ka qenë në njohuri për abuzimet në procesin e privatizimit, Beqaj ka thënë se nëse do të kishte informata të tilla, do të vepronte në mënyrë institucionale.

“Në proceset qe unë kam qenë bartës çdo gjë ka shkuar në harmoni me vendimet e Kuvendit dhe programet qeveritare dhe unë nuk kam vërejtur ndërhyrje të ndonjë grupacioni politik apo të interesit”, ka thënë ai.