Komuna e Kamenicës ka shpërblyer me tender për mbushje të bocave me oksigjen për nevojat e Qendrës Klinike të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, një kompani që merret me prodhimin e gazit industrial.
957 euro është vlera e tenderit me të cilin është shpërblyer “Autogeni Ada Gas” për një periudhë njëvjeçare. Pronari i kësaj kompanie, Ridvan Murati, nuk i është përgjigjur thirrjeve e as mesazheve të KOHËS të premten.
Kjo kompani fitoi tenderin për shkak të çmimit më të ulët ofertues. Ishin tri kompani që patën aplikimet e pranuara.
“Autogeni-Ada-Gas” kishte fituar tender për furnizim me oksigjen edhe në muajin gusht nga Spitali i Gjilanit. Por ky tender ishte anuluar më vonë.
Në vitin 2017, në SHSKUK pati ndodhur skandali me furnizim të gazit mjekësor nga një kompani që merrej me gaz industrial. Dyshimet e atëhershme ishin se 4 persona kanë vdekur si pasojë e oksidulit të palicencuar nga AKPPM-ja. Në Kosovë janë vetëm dy kompani, të cilat kanë leje të merren me oksigjen.