Katër orë u janë dashur për ta marrë kasafafortën: Detaje të reja nga vjedhja në AUV

Hyrjet janë të mbuluara nga kamerat e zyrtarët policorë kujdesen për sigurinë e Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit, vendi nga ku është vjedhur kasaforta e institucionit.

Rreth katër orë dyshohet që u janë dashur personave që janë futur në objekt për ta marrë kasafortën.

Deri tani ka pak informata se çfarë ka ndodhur, raporton KOHA.

Reklama e sponzorizuar

Ushtruesi i detyrës se kryeshefit të këtij institucioni, Naser Krasniqi, ka qenë i rezervuar në atë se çka ka thënë para mediave, me arsyetimin se për këtë rast do të mund të flitet kur institucionet e drejtësisë do të kenë rezultate të hetimeve.

“Gjatë natës së mbrëmshme ka ndodhur një hyrje e paautorizuar. Me rastin besoj se janë duke vazhduar procedurat e policisë, çdo informatë më tutje mund të ndërhyjmë në procesin e policisë. Derisa Policia të jep informata, nuk mund të japim më tepër. Nuk mundem për shkak se Policia ka marrë të gjitha konfirmimet. Hyrja nuk e dimë sakt nga kanë hyrë, thuhet se kanë hyrë nga ana e prapme”, ka thënë Krasniqi.

Askush nga institucionet e drejtësisë nuk ka folur për atë se çfarë mund të jetë vjedhur nga persona ende të paidentifikuar

Burimet kanë folur për një vlerë jo të madhe parash, por për dokumente të rëndësishme që janë gjetur brenda kasafortës, por për momentin nuk ka përgjigje zyrtare se çfarë dokumentesh mund të jenë ato.

Policia e Kosovës, përveç konfirmimit që ky rast ka ndodhur, s’ka dhënë sqarime të tjera.

Vjedhja e kasafortës në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë është kryer një ditë pasi është zbuluar skandali i vjedhjes së 2 milionë eurove nga Thesari.