KE: Korrupsioni dhe ndërhyrjet politike, probleme në të gjitha nivelet e arsimit

Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina"

Korrupsioni dhe ndërhyrjet politike mbeten probleme të rëndësishme në të gjitha nivelet e arsimit, veçanërisht në arsimin e lartë. Ky është konstatimi i Komisionit Evropian në raportin për vendin, të publikuar ditë më parë.

Sipas këtij raporti, vitin e kaluar nuk ka pasur asnjë progres në arsim, derisa thuhet se gjendja në këtë sektor duhet të përmirësohet në mënyrë të konsiderueshme.

Probleme janë evidentuar që nga niveli parashkollor e deri në arsimin e lartë. Cilësia në këtë sektor, sipas raportit, mbetet e dobët.

Reklama e sponzorizuar

“Vetëm 6.2% e fëmijëve të moshës 0-5 vjeç ndjekin arsimin e fëmijërisë së hershme, shumë larg mesatares së Organizatës për bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik që është (mbi 87%)”, thuhet në raport.

Aty përmendet edhe kurrikula, e cila ka hyrë në fuqi në vitin 2017, por theksohet se zbatimi i saj po pengohet nga mungesa e teksteve të përshtatshme, materialeve mësimore dhe mostrajnimit të mësimdhënësve.

E në arsimin e lartë, raporti profesor-student, sipas Komisionit Evropian, mbetet i pafavorshëm 1:41 në universitete publike dhe 1:60 në ato private.

“Megjithëse ka pasur disa përmirësime për shkak të monitorimit publik, rekrutimi dhe avancimi i stafit akademik kryesisht nuk bazohet në merita dhe arritje shkencore, botimet dhe performanca shpesh nuk merren parasysh. Nuk janë marrë veprime të mjaftueshme për të adresuar rastet e sjelljes së keqe akademike dhe plagjiaturës”, përmendet në raport.

Në raport kërkohet që të bëhen më shumë përpjekje për qasjen në arsim cilësor dhe të adresohet shkalla e lartë e braktisjes së mësimit nga fëmijët e minoriteteve.

Sipas njohësit të çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, janë një sërë arsyesh që gjendja në arsim tash e disa vite nuk po shënon përmirësim.

“Mendoj se problem kryesor është që te ne nuk zbatohen në mënyrë vigjilente ato që planifikohen, pra qysh në vitin 2017 është hartuar strategjia 5-vjeçare e zhvillimit të arsimit, mirëpo shumë gjëra prej atij dokumenti nuk zbatohen p.sh që atëherë është parashikuar që të furnizohen shkollat me mjete të teknologjisë së informacionit, komunikimit me internet e që do të ishin shumë të dobishme në një situatë siç e kemi sot mirëpo kjo nuk është bërë”, ka thënë ai.

Komisioni Evropian ka rekomanduar që të bëhet përmirësimi i cilësisë në arsim, përmirësimi i qasjes në nivelin parashkollor dhe zbatimi i kornizës kurrikulare për arsimin primar e sekondar.