Kërkohet pezullimi i dhënies së licencave për ndërtimin e hidrocentraleve

Për afro një orë Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve ka diskutuar për mundësinë e pezullimit të dhënies së licencave për ndërtimin e hidrocentraleve.

Por, pas debateve të shumta nuk është hedhur fare në diskutim pika me të cilën do të rekomandohej institucioneve që të pezullojnë përkohësisht këtë proces.

Kjo pas mospajtimeve mes anëtarëve të Komisionit, pasi kanë ngritur dyshime nëse do të mund të rekomandojnë për diçka që Komisioni nuk e ka në mandat, pasiqë kanë thënë se mandati i hetimit është vetëm deri më 14 gusht.

Reklama e sponzorizuar

Zëvendëskryesuesi i komisionit dhe iniciues i tij, Haxhi Avdyli, ka thënë se duhet të pezullohet përkohësisht ky proces.

“Unë si iniciues e përkrahi pezullimin e lëshimet të lejeve të reja ndërsa për ndërprerje të punës janë organet tjera. Kërkesa e kësaj mbledhje është të bëhet pezullimi derisa bëhet hetimi. Pra ky komision ka mandat te caktuar 3-6 muaj por tani për tani ne po flasim vetëm për periudhën derisa ne po hetojmë”, ka thënë ai.

Por, deputetja Besa Gaxheri, ka kundërshtuar këtë propozim duke thënë se më këtë po dëmtohen bizneset e ndershme.

“Ne si komision s’kemi të drejtë të ndërhyjmë në asnjë aspekt, i kemi organet. Nuk është e drejtë të dëmtohen bizneset e drejta që nuk kanë bërë shkelje. Ne duhet të hetojmë tash e tutje. Ne s’kemi qëllim ndaj bizneseve e individit por ndaj procesit. S’kemi nevojë të pengojmë të ndershmit”, ka thënë ajo.

Por kësaj i është kundërpërgjigjur deputeti Artan Abrashi, nga VV-ja, duke thënë se nuk është qëllimi të dëmtojnë askënd, por vetëm sugjerojnë të mos ketë leje të reja deri në përfundim të hetimit.

Ndërkohë, deputetja Teuta Haxhiu nga AAK-ja ka pyetur se nga kush po kërkojmë pezullimin e lejeve të ndërtimit të hidrocentraleve.

“Jam për ndalje të së keqes. Por s’kam njohuri nëse mund të bëjmë diçka në këtë drejtim”, ka theksuar ajo.

Anëtarët e Komisionit Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve, kanë kërkuar nga zyra ligjore e Kuvendit që t’ua sqarojë nëse mund t’u bëjnë rekomandim institucioneve për pezullimin e dhënies së licencave, nëse mandatin ky Komision hetimor e ka vetëm deri më 14 gusht. Mbledhja ka vazhduar me pikën se kush duhet të intervistohet për procesin e licencimit të hidrocentraleve.