Sqarim për Opinion nga Ministria e Financave lidhur me projekt-buxhetin e Komunës së Prizrenit.
Pas diskutimeve në media, lidhur me projekt-buxhetin e Komunës së Prizrenit, Ministria e Financave jep sqarimin për opinion, si në vijim:
Sipas legjislacionit në fuqi për financat publike, komunat janë të obliguara të aprovojnë buxhetin për vitin e ardhshëm fiskal në Kuvend Komunal deri më datë 30 shtator të vitit vijues dhe ta dorëzojnë në Ministri te Financave.
Sipas ligjit, komuna e cila nuk e aprovon buxhetin sipas afatit të paraparë me ligj, Ministria e Financave gjatë hartimit të projekt-buxhetit për vitin e ardhshëm fiskal do të reflektojë në dokument të buxhetit të shtetit, buxhetin fillestar për vitin vijues të asaj komune, si dhe do të paraqesë ndryshimin sipas kufijve të paraparë buxhetor për vitin e ardhshme fiskal. Në momentin që komuna e aprovon buxhetin sipas rregullave të parapara buxheti i komunës do të bëhet pjesë e ligjit të buxhetit.
Gjithashtu, Ministria e Financave ka filluar së zbatuari Udhëzimin Administrativ për Kriteret Përzgjedhëse të Projekteve Kapitale, ku projektet te cilat nuk plotësojnë kriteret minimale nuk do të përfshihen në buxhet por do të mbesin në kuadër të rezervës së asaj organizate buxhetore. Pra, buxheti nuk do t’i merret komunës, por, në momentin që komuna plotëson kriteret minimale të parapara me legjislacionin në fuqi këto projekte do të kthehen në buxhet.