Konstatohen shkelje në tenderin për teste për COVID-19, hidhen poshtë pretendimet për shkelje në procedurën e dytë

Procedurat për furnizim emergjent me material laboratorik për testim për SARS-COV-2 të zhvilluara nga Ministria e Shëndetësisë kanë prodhuar ankesa për shkelje ligjore nga ana e këtij institucioni. Pas dy ankesave të bëra në fillim të shtatorit në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) për procedurën “Furnizim Emergjent me material laboratorik për testim për SARS-COV-2”, që ka nisur në korrik, janë konstatuar shkelje dhe procedura është anuluar.

Ndërsa një ankesë tjetër për një procedurë me të njëjtin emër, e nisur në shtator, në kohën kur në proces të shqyrtimit në OSHP kanë qenë ankesat për procedurën e parë, është hedhur poshtë si e palejuar me një vendim që është marrë të mërkurën nga Gjykata e Tenderëve.

Në procedurën e korrikut, e cila tashmë është anuluar, fituese ishte shpallur kompania “Interlab”, çmimi i ofertës të së cilës ka qenë 1 milion e 241 mijë e 490 euro. Në këtë procedurë, OSHP-ja ka vlerësuar se nuk i ka plotësuar kushtet.

Reklama e sponzorizuar

Por, e njëjta kompani është rekomanduar për kontratë edhe në një procedurë tjetër, me të njëjtin emër, e nisur në shtator, në kohën kur në proces të shqyrtimit në OSHP kanë qenë ankesat për procedurën e parë. Për procedurën e shtatorit, e cila ka qenë procedurë e negociuar me një operator ekonomik, në OSHP ishte ankuar kompania “Vitech”. Por, ankesa është hedhur poshtë si e palejuar nga OSHP-ja, e cila ka vlerësuar se kompania “Vitech” nuk ka qenë pjesëmarrëse në këtë aktivitet të prokurimit. Sipas vendimit, përgjegjësinë për përgjegjshmërinë e operatorit ekonomik të rekomanduar për dhënie të kontratës e bart Komisioni i vlerësimit të ofertave i MSH-së.

Vlera e kontratës së dytë është 1.3 milion euro. Përfaqësuesi i kompanisë “Interlab”, Betim Sadriu, ka thënë se nuk ka çfarë të komentojë lidhur me këto procedura.