Një delegacion i Aleancës Kosovare të Bizneseve, i kryesuar nga kryetari Agim Shahini, kanë takuar kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferin. Ky i fundit, me këtë rast tha se do të bashkëpunojnë me AKB-në dhe bizneset kosovare.
Sipas tij janë bërë mjaft lehtësira, por ende ka disa barriera. Ai tregoi se janë hequr testet, por situata nuk është e mirë, meqë ka rritje të të infektuarve.
Ai premtoi se së shpejti do të vazhdojë ndërtimi i autostradës nga Shkupi deri te kufiri me Kosovën.
“Bizneset e huaja janë të barabarta me ato vendëse dhe mundohemi të krijojmë lehtësira për bizneset”, tha Xhaferi.
Ai premtoi se çdo iniciativë e AKB-së dhe e bizneseve kosovare do të trajtohet me seriozitet nga ana e legjislativit.
Kosova me Maqedoninë kanë raporte të mira ekonomike, derisa ka rënie të suficitit tregtar me Kosovën.
“Mbyllja e kufijve nuk duhet të ndodhë, sepse është e dëmshme për të gjithë, si për bizneset ashtu edhe për qytetarët”, tha Shahini.
Ai tha se duhet praktikuar rregullat e lira të lëvizjes e jo mbylljes, por e zbatimit të masave mbrojtëse.
Kryetari i AKB-së shprehu shqetësimin lidhur me mosndërtimin e autosradës “Arben Xhaferi”, nga kufiri deri në Shkup, duke kërkuar ndërtimin e saj në Maqedoni.
Agim Shahini premtoi se do të jenë partnerë të fuqishëm në zhvillimin ekonomik të të dy vendeve.
Ai tregoi se rreth 3 milionë euro kosovarët shpenzojnë në Maqedoni thuajse çdo javë, thuhet në njoftimin për opinionin të AKB-së.