Kosova dhe Maqedonisë së Veriut së shpejti do të arrijnë marrëveshje për krijimin e një pike të përbashkët kufitare që mundëson lehtësimin e qarkullimit të mallrave dhe qytetarëve ndërmjet këtyre dy shteteve.
Derisa deri në vitin 2022 do të përfundojë ndërtimi i autostradës në pjesën e mbetur në Maqedoninë e Veriut që lidhë me Kosovën.
Kështu tha ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, pas takimit me ministrin e Transportit të Maqedonisë së Veriut, Blagoj Boçvarski.
Abrashi tha se temë diskutimi me homologun e tij ishte ndërtimi i infrastrukturës rrugore ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Gjithsesi se do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme mes dy qeverive me prioritet të lartë, është pika e përbashkët kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo pikë kufitare ka me ndikuar që njerëzit dhe bizneset të cilat e shfrytëzojnë këtë rrugë koha e pritjes do të jetë shumë më e shkurtë sesa aktualisht që është tani. Rrjedhimisht do t’i ndihmojnë bizneset e të dy shteteve për integrim ekonomik”, tha Abrashi, raporton KP.
Ministri i Transportit të Maqedonisë Veriore, Blagoj Boçvarski, gjatë vizitës së tij të parë në Kosovë, tha se lidhja regjionale është qëllimi i tyre, por edhe i Bashkimi Evropian.
Boçvarski shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me Kosovën, si dhe përfundimin e autostradës Shkup-Bllacë.
“Përfundimi i autostradës pritet të ndodhë në vitin 2022, është një rrugë serioze për problemet me të cilat ballafaqohemi prej Shkupit deri tek pika kufitare me Kosovë. Pra, jemi në pritje që projekti të realizohet brenda tri viteve. Diskutuam për shumë tema aktuale dhe konkrete, besoj që gjatë mandateve tona qeveritare do të bëjmë zhvillim me të gjerë për shtetet tona. Qëllimi i parë për ne dhe BE është qasja regjionale për zhvillim ekonomik”, tha Boçvarski.
Ministri Abrashi në fund po ashtu tha se me ministrin maqedonas kanë diskutuar për temat që lidhen edhe me sektorin e transportit hekurudhor.