Krijimi i linjave të komunikimit dhe bashkëpunimi reciprok, përkrahja për bizneset që kanë interes bashkëpunimi në fushën e turizmit, përkrahja dhe promovimi i turizmit malor në Kosovë, organizimi i aktiviteteve të përbashkëta me qëllim të nxitjes së turizmit ishin qëllimi i takimit të përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.
Gjatë këtij takimi u diskutuan potencialet bashkëpunuese në fushën e turizmit dhe ndërlidhja e bizneseve duke kombinuar turizmin detar dhe atë malor.
Përfaqësuesit e OAK-së theksuan rëndësinë e organizimit të më shumë aktiviteteve të përbashkëta me qëllim që të promovohet turizmi malor drejt Kosovës edhe më shumë dhe të njihet për turistët potencial. Me këtë rast të dyja palët u pajtuan që të organizojnë aktivitete të përbashkëta me qëllim të promovimit të zonave me potencial për vizitorët, duke kombinuar sezonën e verës në Shqipëri, e atë të dimrit në Kosovë.
Ministri Klosi ka potencuar që kur Shqipëria kishte nevojë për turizmin, Kosova ishte aty. Ministri gjithashtu tha që Shqipëria dhe Kosova si institucione bashkëpunojnë shumë mirë, andaj duhet të bëjnë edhe më tepër edhe në promovimin e turizmit drejt Kosovës.
Klosi u shpreh i gatshëm për bashkëpunim dhe theksoi që është momenti që të nxisim më tepër këtë çështje duke përfshirë mbajtjen e aktiviteteve të përbashkëta, promovimet, panairet, hapjen e pikave të përbashkëta, e prezantimin e zonave atraktive.