Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë Memorandum për tregjet financiare

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të Republikës së Shqipërisë, Ervin Mete kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit në funksion të rregullimit, licencimit dhe mbikëqyrjes së tregjeve.

Në njoftimin për media, theksohet se përmes këtij Memorandumi BQK-ja dhe AMF-ja vendosin një sistem bashkëpunimi reciprok dhe shkëmbim të informacioneve mes palëve, bazuar në rëndësinë e zhvillimit të tregjeve financiare të të dyja vendeve, i cili do të shtrihet në tregjet e sigurimeve / risigurimeve, tregjet e kapitalit, aktivitete të tjera financiare jobankare.

“Me anë të këtij Memorandumi të Mirëkuptimit, parashihet vlefshmëria reciproke e policave të sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësinë ndaj palëve të treta, detyrimet reciproke mbi praktikat e dëmeve”, thuhet në njoftimin zyrtar të BQK-së.

Reklama e sponzorizuar

Tutje thuhet se Memorandumi thellon linjat e bashkëpunimit mes dy rregullatorëve në funksion të mbikëqyrjes së integruar dhe efektive, në veçanti përmes kolegjeve mbikëqyrëse të grupeve të sigurimit, për shoqëritë vendase të sigurimit dhe risigurimit, të cilat kanë investime apo degë të tyre në vende të tjera.

“Gjithashtu, sa i përket tregut të sigurimeve palët angazhohen të adresojnë çështje të veçanta të mbikëqyrjes në të dy vendet, si vlefshmërinë reciproke të policave të sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësinë ndaj palëve të treta, detyrimet reciproke mbi praktikat e dëmeve apo trajtimin dhe pagesën e dëmeve”, thuhet tutje.

Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar nga të dyja palët, do të jetë në fuqi për një periudhë kohore të pakufizuar, derisa i njëjti shfuqizon Memorandumin e mëparshëm që ishte në fuqi nga viti 2008.