Kosova ‘pa progres’

Fjala “No progress” (Nuk ka përparim v.j.) është përshkruar 34 herë në Raportin 119-faqesh të Komisionit Evropian për Kosovën, i njohur ndër vite si “Raporti i Progresit”. Kurse në 31 fusha theksohet “Përparim i kufizuar”, duke e renditur Kosovën në fazën e hershme të zhvillimit në shumë aspekte.

Krahasuar me vitet paraprake, vendi qëndron edhe më keq në vlerësimin e kritereve që dalin nga marrëdhënia kontraktuese me Bashkimin Evropian. Në vitin 2018, BE-ja kishte vlerësuar 22 herë se nuk ka përparim derisa në vitin 2019-26 herë, shkruan KOHA.

Krizat politike të njëpasnjëshme, niveli i lartë i krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndikimet politike në gjyqësor, mungesa e reformës në administratën publike – janë vetëm disa prej çështjeve ku nuk është shënuar përparim ose ai është i kufizuar.

Reklama e sponzorizuar

Kosovës i faturohet edhe bllokada e dialogut për gati dy vjet dhe vonimi i marrëveshjes finale për shkak të taksës ndaj mallrave me origjinë nga Serbia. Publikimi i Raportit të Shtetit, i Pakos së Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor dhe Planit Investiv e Ekonomik për rajonin, e gjen Kosovën të vetmin vend në Ballkan pa strukturë të kompletuar institucionale për integrim evropian.

Ngecjet

Komisioni Evropian ka publikuar të martën raportet për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe paketën e zgjerimit. Komisioni ka përfshirë në raport një periudhë më të gjatë kohore, pasi i njëjti është dashur të bëhej publik qysh në pranverë, por ishte shtyrë, mes të tjerash edhe për shkak të pandemisë.

Periudha e raportimit u shënua nga zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, ndërrim i dy qeverive dhe periudha relativisht të gjata me qeveri në detyrë ose në dorëheqje. Për shkak të kontekstit politik të paqëndrueshëm, por edhe fokusit në menaxhimin e pandemisë, sipas KE-së, përgjithësisht ka pasur përparim të kufizuar në përmbushjen e reformave të BE-së.