Ku qëndron Kosova me paga krahasuar me Gjermaninë, Zvicrën e Kroacinë

Gjetja e një vendi pune dhe sigurimi i një jete më të mirë, janë ndër arsyet kryesore qe i shtyjnë kosovarët ta marrin rrugën jashtë vendit. Për punën që bëjnë në shtetet e huaja, thuhet se paguhen mirë. Por, sa janë në të vërtetë pagat në shtetet që ua mësyjnë zakonisht kosovarët për të punuar?

Rreth 35 mijë kosovarë e kanë braktisur vendin vetëm gjatë vitit të kaluar. Bazuar në raportin “Vlerësimi i Popullësisë 2019”, të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, një prej arsyeve kryesore që i ka shtyrë ata të largohen nga vendi, është gjetja e një vendi pune që do t’iu siguronte të ardhura më të mira.


“Numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2019 është vlerësuar të jetë gjithsej 34,911 banorë përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë. Pjesa dërmuese e emigrantëve për vitin 2019 ishin emigrantët legal. Emigrimi legal ishte për shkak të: bashkimit familjar, martesave, gjetja e një vendi pune, shpërngulje të përhershme (kryesisht në shtete fqinje), studime afatgjata me punësim etj”, thuhet në raportin e ASK’së.

Reklama e sponzorizuar

Por, sa janë pagat mesatare në shtetet ku zakonisht qytetarët e vendit shkojnë për të punuar, sa janë në Kosovë dhe cilat janë punët që sjellin më shumë të ardhura?

Kosovë

Një raport lidhur me nivelin e pagave, i ka renditur ata që merren me furnizim me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, si më të paguarit në Kosovë.

Sipas këtij raporti, paga mesatare bruto për ata që merren me këtë punë është 923 euro.

Paga të larta kanë edhe ata që merren me informim dhe komunikim, të cilët kanë pagë bruto gati 800 euro.

Keq me paga nuk qëndrojnë as ata që merren me xehetari dhe gurëthyes. Paga mesatare bruto për këtë aktivitet ekonomik është mbi 650 euro.

Bazuar në këtë raport, paga më të ulët kanë ata që merren me akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim, të cilët kanë pagë mesatare 256 euro.

“Paga mesatare bruto në vitin 2019 sipas aktiviteteve ekonomike më e lartë ishte te: Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar me 923 euro pasuar nga informimi dhe komunikimi me 797 euro, pastaj xehetari dhe gurëthyes me 657 euro, derisa paga më e ulët ishte tek Akomodimi dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 256 euro”, thuhet në raport.

Gjermani

Para rreth një muaji, qeveria gjermane ka publikuar të dhëna lidhur me numrin e shtetasve të huaj që jetojnë në Gjermani dhe sa paguhen për punët që bëjnë.

Bazuar në këto të dhëna, rroga mesatare në Gjermani është 3 mijë e 509 euro në muaj, por që ballkanasit paguhen rreth 900 euro më pak se gjermanët.

Saktësisht, një kosovar ka pagë mujore mesatarishr 2 mijë e 522, ndërsa shtetasit nga Shqipëria 2428 euro në muaj.

Punëdhënësit bëjnë diferencime edhe në rang specialistësh dhe ekspertësh. Kështu për shembull, ndërsa rroga mesatare e një eksperti gjerman, në fund të vitit 2019 ishte 5 mijë e 609 euro, një ekspert ballkanas i kushton punëdhënësit gati 1000 euro më pak në muaj.

Ekspertët që paguhen më mirë janë ata nga Serbia (5 073 euro në muaj), pasuar nga ekspertët nga Shqipëria me 4815 euro në muaj.

Ekspertët nga Kosova (3 983) kanë pagat më të ulëta mujore, duke krijuar kështu një diferencë prej mesatarisht mbi 1600 Euro në krahasim me ekspertët gjermanë.

Ngjashëm është situata edhe për specialistët: 4400 është rroga mesatare e një gjermani, dhe afro 3476 euro fiton një specialist nga Ballkani Perëndimor.

Dallimi është më i vogël në nivel ndihmësi.

Por edhe këtu ka diskriminim mes një vendasi dhe një shtetasi nga Ballkani, prej mesatarisht 100 euro në muaj. Ndihmësit nga Kosova e kanë rrogën mesatare 2352 euro.

Zvicër

Për pagat e kosovarëve në Zvicër nuk ka ta dhëna, por punëtorët në këtë shtet janë ndër më të pagurit në botë.

Një raport i Zyrës Federale të Statistikave (BFS) për pagat zvicerane hedh dritë mbi disa fakte interesante: raporti tregon edhe sa fitojnë punëtorët e huaj në krahasim me kolegët e tyre zviceranë.

Sipas Anketës së BFS-së për Strukturën e Fitimeve të 2018, viti i fundit për të cilin gjenden statistikat zyrtare, paga mesatare mujore në Zvicër është 6,538 franga.

Pagat nuk kanë ndryshuar shumë që nga ajo kohë.

Studimi tregon se 10 për qind e të punësuarve me pagën më të ulët kanë fituar më pak se 4,302 franga në muaj, ndërsa 10 për qind më të paguarit, kanë fituar gati 11,700 franga.

Shifrat e BFS tregojnë gjithashtu divergjencën në paga midis zviceranëve dhe të huajve me leje të ndryshme pune.

Ndërsa një burrë zviceran fiton 7,500 franga në muaj, një grua zvicerane paguhet pak më shumë se 6,000 për të njëjtën punë.

Një burrë me një leje afatshkurtër L fiton rreth 5,000 franga, ndërsa një grua që mban të njëjtën leje do të bëjë pak më shumë se 4,000.

Pagesa është pak më e lartë për mbajtësit e lejes B: 5,700 franga për burrat dhe 5,000 për gratë.

Burrat, punëtorë ndërkufitarë me leje G fitojnë afërsisht të njëjtën pagë me mbajtësit e lejeve C – rreth 6,200 në muaj.

Por, gratë në ato grupe nuk kanë të njëjtat paga: rreth 5,800 për punëtorët ndërkufitarë dhe 5,000 për banorët e përhershëm.

Kjo mund të jetë sepse kategoria e mëparshme ka aftësitë e nevojshme posaçërisht për tregun e punës të Zvicrës.

Por, cilat janë pagat mesatare zvicerane për profesione të ndryshme?

Pagat ndryshojnë nga një kanton në tjetrin. Në përgjithësi, njerëzit fitojnë më shumë në Gjenevë dhe Cyrih sesa në Ticino, por kostoja e jetesës në këto rajone është përkatësisht më e lartë ose më e ulët.

Në mënyrë tipike, profesionistët si mjekët, avokatët ose inxhinierët, si dhe njerëzit që punojnë në teknologjinë e informacionit, industrinë farmaceutike dhe sektorët e bankave dhe të sigurimeve kanë pagat më të larta.

Nga ana tjetër, punëtorët e pakualifikuar janë ata që paguhen më pak, shpesh të referuar si ‘të varfër që punojnë’.

Lohncomputer, një platformë për qytetarët evropianë që duan ose tashmë punojnë në Zvicër, rendit vlerësimet mesatare të pagave mujore të nxjerra nga sondazhe të ndryshme të pagave.

Këtu janë vetëm disa shembuj:

Avokat: 9,300 franga

Kontabilist: 8,125 franga

Mësues: 7,292 franga

Punonjës i bankës: 6,750

Arkitekt: 6,250 franga

Infermiere: 5,667 franga

Zdrukthëtar: 5,150 franga

Paruker: 4,375 franga

Kroaci

Një prej shteteve ku kosovarët po shkojnë për të punuar viteve të fundit është edhe Kroacia.

Paga mesatare neto në Kroaci, e paguar në tetor 2018, ishte 6,281 kuna, ose 846 euro.

Në nivel vjetor, kjo është një rritje reale prej 2.8 për qind, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave.

Krahasuar me muajin shtator, paga neto mesatare e paguar ishte më e lartë për 0.8 për qind, raportojnë mediat kroate.

Të dhëna për pagat e kosovarëve atje nuk ka, por që Paga mesatare mujore e paguar neto në korrik të vitit të kaluar në Kroaci ishte 6722 kuna (rreth 891 euro).

Sipas Byrosë Qendrore të Statistikave të Kroacisë, pagesa mesatare më e lartë mujore është paguar në transportin ajror në vlerë prej 10,343 kuna (1,371 euro), dhe më e ulëta në prodhimin e veshjeve në vlerë prej 4,436 kuna (588 euro)./Express/