Rrezet e diellit përshkonin dritaret e shtëpisë së inxhinierit-drejtues të HP, Chandrakant Patel, një të enjte të muajit prill, por kjo nuk e pengoi të kërcente nën tingujt e këngës “You Should Be Dancing” të Bee Gees, si të ishte në një klub të shtunën në mbrëmje.
Për 12 orë, HP punësoi DJ Ryan Best për të organizuar një festë virtuale kërcimi, për punonjësit e saj, për të rritur moralin gjatë pandemisë. Rreth 2000 punonjës morën pjesë në këtë festë nëpërmjet asksesit në Zoom, duke kërcyer me kafshë shtëpiake, pelushë, apo me objekte të tjera, me paruke në kohë, përpara shefave dhe kolegëve.
“Njerëzit e vlerësuan me të vërtetë këtë gjë” – pohoi Tracy Keogh, përgjegjëse e Burimeve Njerëzore në HP.
“Kjo ngjarje për të rigjallëruar shpirtin e punonjësve, së bashku me masa të tjera për mirëqenien e tyre, i ka siguruar kompanisë së hardware dhe teknologjisë HP vendin e 17 në klasifikimin e përvitshëm të Punëdhënësit më të mirë në botë (The world’s best employers 2020 list). Forbes bashkëpunoi me shoqërinë e kërkimeve në treg Statista, për të bërë këtë klasifikim, duke pyetur 160.000 punonjës me kohë të plotë dhe të pjesshme në 58 vende, të cilët punonin për kompani me aktivitet në shumë vende apo rajone.
Sondazhet u kryen në mënyrë të vazhdueshme nga qershori në korrik dhe pjesëmarrësve iu kërkua të vlerësonin gatishmërinë për t’ua rekomanduar punëdhënësin e tyre miqve dhe familjarëve. Ndër të tjera, atyre iu kërkua të vlerësonin kënaqësinë për masat e marra nga punëdhënësit në lidhje me COVID-19 dhe t’i vlerësonin ata në bazë të imazhit të tyre, ndikimit ekonomik, zhvillimit të talentit, barazisë gjinore dhe përgjegjësisë sociale. Klasifikimi përbëhet nga 750 shumëkombëshe dhe shoqëri të mëdha me seli në 45 vende.
Shtetet e Bashkuara dominojnë klasifikimin e Forbes me 247 punëdhënës, ndjekur nga Europa me 224, dhe Azia dhe Oqeania me 228 punëdhënës. Kompania koreanojugore Samsung renditet në vend të parë, ndjekur nga kompanitë amerikane Amazon dhe IBM përkatësisht në vendin e dytë dhe të tretë. Nuk të habit fakti që punonjësit e kompanive IT, software dhe në telekomunikacion kanë parë biznesin të rritet.
Ata e kanë pasur më të thjeshtë kalimin e punës nga zyra në shtëpi. Gjithashtu kishin tendencë të vlerësonin më pozitivisht masat e mara të kompanive krahasuar me punonjës në shoqëritë e udhëtimeve, argëtimit apo transportit. Të intervistuarit në Kolumbi dhe Brazil ishin shumë më të kënaqur me punëdhënësit e tyre për mënyrën e menaxhimit të pandemisë se ata në Japoni, Singapor, Kore e Jugut apo Itali.
Shumë nga kompanitë në klasifikimin e Forbes nuk ishin imune ndaj efekteve të COVID-19 në forcën e tyre të punës. Amazon, në veçanti, po përballet me një proces gjyqësor pasi kompania dështoi t’u sigurojë punonjësve në qendrën logjistike të Staten Island JFK8 një mjedis pune të sigurt. Të paktën tetë punonjës të Amazon kanë humbur jetën për shkak të Covid-19. Por në fillim të pandemisë, kompania bëri investime të mëdha në sigurinë në punë. Ajo shpenzoi 4 miliardë dollarë në masa për mbrojtjen ndaj COVID, si shpërndarja e më shumë se 100 milionë maskave punonjësve, instrumente për kontrollin e temperaturës në selitë e saj nëpër botë etj. Kompania parashikon të kryejë edhe 50 mijë testime në ditë në 650 baza të saj brenda nëntorit.
“Në ditët e para të krizës, ne kërkuam ndihmën e shumë prej mjekëve kryesorë të epidemiologjisë dhe reagimit ndaj epidemive në botë, për të punuar me ekipin tonë të sigurisë globale prej 5,000 anëtarësh, për të hartuar dhe për të zbatuar ndryshimet e procesit në të gjitha ndërtesat tona”, thotë një zëdhënësi i Amazon. “Në përgjithësi, ne kemi prezantuar ose modifikuar mbi 150 procese për të siguruar shëndetin dhe sigurinë e ekipeve tona.”
Përveç festës së famshme, HP u ofroi punonjësve një sërë përfitimesh të tjera të pazakonta gjatë pandemisë. Kompania amerikane ka shtuar kriteret për të aplikuar në fondin e saj të mbështetjes së punonjësve, duke lejuar këdo që është përballur me vështirësi financiare në lidhje me pandeminë të aplikojë për deri në 10,000 dollarë.
Në Gjermani, kompania Siemens ka përqafuar përgjithmonë mënyrën e të punuarit në distancë, duke njoftuar në korrik se punonjësit mund të punonin nga shtëpia dy ose tre ditë në javë edhe pas përfundimit në pandemisë. Siemens renditet e 9 në këtë klasifikim.
Në anën tjetër, Sicso, e 18-a në klasifikim, ka ndërmarrë një qasje tjetër, duke u përqendruar te mirëqenia e punonjësve. Më 22 maj, Ceo Chuck Robbins dhe chief people officer Fran Katsoudas u dhanë një ditë të lirë thuajse 76 mijë punonjësve të kompanisë amerikane për të promovuar shëndetin mendor. Tre muaj më vonë, më 28 gusht, Cisco bëri të njëjtën gjë.
Burimi: Forbes