MEA-ja ia legalizon “Kelkosit” trasenë e gypave në zonën e mbrojtur

Edhe pse kompania “Kelkos” ka ndërprerë operimin, Qeveria është duke ia mundësuar që ta rikthejë ujin në gypa përmes vendimeve që po ia legalizojnë veprimtarinë.

Një ditë pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë ia ndali prodhimin e energjisë kompanisë “Kelkos” për tri hidrocentralet në Grykën e Deçanit, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ia ka legalizuar trasenë e shtrirjes së gypave, raporton KOHA.

Licenca i është dhënë bazuar në kontratën që “Kelkos” ka lidhur me Agjencinë Pyjore të Kosovës për shfrytëzimin e tokës pyjore.

Reklama e sponzorizuar

Kontrata është bërë bazuar në pëlqimin mjedisor që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tani Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit kishte lëshuar në vitin 2012, apo nëntë muaj para se pjesa ku operojnë hidrocentralet të shpallej Park Kombëtar.

Sipas Florent Spahija, hulumtues në KDI, pas ndryshimit të rrethanave Agjencia e Pyjeve duhet të konsideronte që për kontratë të re duhet leje apo pëlqim i ri mjedisor nga Ministria për kompaninë.

Por, nga kjo agjenci që vepron në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë kanë thënë se kontrata është bërë pasi Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit më 18 shtator ka konfirmuar validitetin e vendimit për pëlqim mjedisor për ndërtimin e hidrocentraleve përgjatë Lumëbardhit të Deçanit.

Ajo ka bërë të ditur se kontrata i është vazhduar për 10 vjet, porse ajo mund të zbatohet pasi operatori ekonomik “KELKOS” t’i sigurojë të gjitha lejet për prodhimin e energjisë nga autoritetet kompetente.

Kjo kontratë, sipas APK-së, mund të shkëputet nëse kjo kompani nuk siguron lejen mjedisore dhe dokumentacionet e tjera brenda 6 muajve.

Ndërkohë, në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit kanë thënë se vendimi për legalizimin e trasesë është bërë pasi operatori ekonomik ka dorëzuar dokumentin që i siguron të drejtën e shfrytëzimit të kësaj traseje.

E pyetur se kontrata për qira është bërë tani kur kanë ndryshuar rrethanat dhe zona është e mbrojtur me ligj, nga MEA-ja nuk kanë sqaruar një gjë të tillë, duke thënë shkurt se pala ka marrë një pëlqim mjedisor dhe se ai vlen për tërë procesin.

Ky është njëri nga kushtet që kjo kompani është dashur që të plotësojë për t’u pajisur me leje mjedisore, që do t’ia mundësohet operimin e hidrocentraleve. Për të marrë këtë leje, “Kelkos” duhet që të ndërtojë pendën dhe ta rehabilitojë zonën.

Krejt këto veprime po ndodhin në kohën kur Komisioni hetimor parlamentar është duke hetuar licencimet e hidrocentraleve dhe reagimeve të opinionit për degradimin e ambientit që është bërë në atë pjesë.