Gjithsej 1 mijë e 211 ankesa kanë shkuar në adresë të Bankës Qendrore të Kosovës nga konsumatorët e bankave komerciale, institucioneve mikrofinanciare si dhe ankesa ndaj kompanive të sigurimit në vend gjatë vitit 2019.
Ankesat nga shfrytëzuesit e shërbimeve financiare nga këto institucione financiare, kishin të bënin më së shumti me kreditë dhe llogaritë bankare, kostot e larta për kredi tek institucionet mikrofinanciare, si dhe për moskompensim të dëmeve nga ana e siguruesve, përcjell Buletini Ekonomik.
Rritje e lartë e ankesave ishte bërë sidomos për dy institucionet mikrofinanciare Monego dhe Iute Credit, gjë që brenda atij viti edhe iu ishte revokuar licenca të dyjave nga ana e BQK-së, për shkak të aplikimit të normave të larta të interesit ndaj konsumatorëve.
Ankesat ndaj IMF-ve e IFJB kishin shënuar rritje të konsiderueshme prej 189%. Krejt kjo si rezultat i rritjes së aktivitetit kredidhënës të dy institucioneve si IuteCredit dhe Monego, thonë nga BQK-ja në raportin vjetor të tyre për 2019-n.
“Në vitin 2019 krahasuar me vitin 2018, kemi rritje të konsiderueshme të numrit të ankesave të trajtuara, apo 31%, ku ankesat ndaj bankave komerciale kanë shënuar rritje prej 17%, ankesat ndaj siguruesve kanë shënuar rritje prej 25%, ndërsa ndaj IMF e IFJB ankesat kanë shënuar rritje të konsiderueshme prej 189% (si rezultat i rritjes së aktivitetit kredidhënës të dy institucioneve si IuteCredit dhe Monego)”, thuhet në këtë raport.
Gjithsej ankesat për banka komerciale të adresuara në BQK për vitin 2019 ishin 550, ndërsa ankesat më të shpeshta kanë qenë të lidhura me çështje të ndryshme që ndërlidhen me kredi (si p.sh. kategorizimi në regjistrin e kredive, parapagimi i kredive, etj.); çështje që ndërlidhen me kartelat kreditore; si dhe çështje të ndryshme me llogari (si p.sh. bllokimi i llogarisë, tarifa për mirëmbajtje të llogarisë).
Kurse, ankesat për institucionet mikrofinanciare (IMF) dhe institucionet financiare jobankare (IFJB) të adresuara në BQK për vitin 2019 kanë qenë 156, dhe ato më të shpeshtat kishin të bëjnë me kostot e larta për kredi, më saktësisht 34% e total ankesave për IMF e IFJB kanë qenë rreth tarifave të larta të aplikuara për kredi.
Ndërkohë, ankesat ndaj siguruesve të adresuara në BQK për vitin 2019 kanë qenë 495. Ankesat më të shpeshta kanë pasur të bëjnë me moskompensim të dëmit material dhe jomaterial nga sigurimi i autopërgjegjësisë TPL, me mosrespektimin e afateve kohore për pagesë te marrëveshjet jashtëgjyqësore, si dhe me moskompensimin e shpenzimeve mjekësore nga sigurimi shëndetësor.
Nga BQK –ja thonë se gjatë vitit të kaluar, në krahasim me vitin 2018, kanë pasur rritje të konsiderueshme të numrit të ankesave të trajtuara, apo 31%, ku ankesat ndaj bankave komerciale kanë shënuar rritje prej 17 përqind, ankesat ndaj siguruesve kanë shënuar rritje prej 25 përqind, ndërsa ndaj IMF e IFJB ankesat kanë shënuar rritje të konsiderueshme prej 189%, si rezultat i rritjes së aktivitetit kredidhënës të dy institucioneve si IuteCredit dhe Monego.
Madje sipas BQK-së, 50.1%, pra shumica e të gjitha ankesave janë zgjidhur në favor të shfrytëzuesve të shërbimeve financiare, pra bankave e institucioneve, pasi në bazë të vlerësimeve të BQK-së, kanë rezultuar të jenë të mbështetura në bazë ligjore. Kurse, ankesat ndaj palëve refuzohen kryesisht për shkak se nuk kanë baza ligjore.
“Vlen të theksohet se kryesisht ankesat refuzohen apo nuk zgjidhen në favor të palëve për shkak se nuk kanë bazë ligjore për trajtim”, përfundon tutje raporti me vlerësimet e BQK-së.
Ndryshe, qytetarët prej janarit të 2020-s e kanë të mundur të parashtrojnë edhe ankesa në platformën online, e cila është publike. (Mirjeta shabani) /Buletini Ekonomik/