Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka marrë pjesë në takimin vjetor të Fondit Monetar Ndërkombëtarë, ku ka diskutuar për sfidat me të cilat po përballet ekonomia e Kosovës në kontekstin e krijuar nga pandemia.
Bajrami përmes një postimi në Facebook ka treguar që “në periudhën vijuese mbeten sfida të rëndësishme për t’u adresuar, sikurse çështja e parashikueshmërisë, përkatësisht e pasigurisë që ndërlidhet me shkallën e dëmit ekonomik të krijuar nga pandemia tek bizneset”.
“Po ashtu nënvizova se në kuadër të politikave tona publike, ne si qeveri duhet të përballemi me dilemat e pashmangshme për të gjetur balancë ndërmjet investimeve publike në shëndetësi, arsim, në sektorin privat dhe në fusha tjera, gjithnjë duke pasur në konsideratë grupet e cenuara dhe kategoritë sociale”, shkruan Bajrami.
Ajo ka thënë se kjo ishte hera e parë që Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës i rezervohet mundësia e adresimit si paneliste në takimin e nivelit të lartë të FMN-së.
“Falënderova FMN-në për këtë mundësi, dhe për mbështetjen e FMN-së në menaxhimin e pandemisë si dhe për bashkëpunimin e ngushtë në fushën e menaxhimit të financave publike dhe ruajtjen e stabilitetit makrofiskal në vendin tonë. Fola për sfidat me të cilat po përballet ekonomia e Kosovës në kontekstin e krijuar nga pandemia duke u përqendruar në nevojën për një politikëbërje adekuate e cila adreson në mënyrë efektive dhe të shpejt problemet socio-ekonomike e ato shëndetësore të krijuara si rezultat i pandemisë”.
Ministrja e Financave ka ka treguar se, u ka bërë me dije FMN-së se Kosova dhe vendet e rajonit duhet të adresojnë në mënyrë të kujdesshme dhe të analizuar mirë hapësirën fiskale si dhe të forcojnë kapacitetin absorbues në mënyrë që financimi i projekteve të prodhojë rezultate pozitive.