Murati: Hajnat e 2 milionëshit dikush i ka garantuar se s’do të dënohen

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar përmes një konference për media lidhur me skandalin e vjedhjes së mbi 2 milionë eurove nga buxheti i shtetit. Deputeti i këtij subjekti politik, Hekuran Murati tha se personave që ia vodhën shtetit këto miliona dikush i ka garantuar se nuk do të dënohen, raporton Gazeta Express.

“Kjo është çështje shumë shqetësuese për shkak se po na e rikthen atë normalitetitin e pretenduar. Normalitetin ku krimi nuk ndëshkohet, ku krimi merr zemër, sepse duhet më shumë sesa vetëm planifikim për ta bërë një veprim të tillë. Pra, procedurat edhe rregullat edhe sistemi në Thesar nuk do ta lejonte një gjë të tillë dhe një person nuk do të guxonte ta bënte një gjë të tillë marrë parasysh pasojat…. Kur rikthehen partitë e mendësisë së stërvjetruar, është normale që personat e tillë të bëjnë veprime të tilla, sepse dikush u ka garantuar se nuk do të ndëshkohen”, ka thënë Murati.

Ai ka përmendur edhe skandalet e kaluara, për të cilat nuk është dënuar askush.

Reklama e sponzorizuar

“Kemi situatë të tillë si kur u vodh dhoma e dëshmive dhe nuk u dënua askush, janë dhënë 53 milionë euro dhe nuk ka dhënë llogari askush, janë vjedhë avanse në emër të vizitave zyrtare në Ministrinë e Shëndetësisë dhe nuk është dënuar ende askush”, tha Murati.

Deputeti i LVV-së tha se nuk pret që Qeveria e Kosovës të japë dorëheqje pas këtij skandali.