Ndërtime të reja në Prishtinë pa zgjerim rruge

Radhë të gjata automjetesh si në këtë rast krijohen në kryqëzimin e rrugëve ‘’Ernest Koliqi’’ e ‘’Muharrem Fejza’’.

Këto rrugë të frekuentuara zakonisht nga banorë të “Matit” e Lagjes së Spitalit përshkohen edhe nga ata të “Veternikut”, që në jo pak raste krijon tollovi të madhe në trafik.

Rruga e ngushtë dhe ndërtesat e shumta përskaj rrugës që vazhdojnë të ndërtohen përreth krijojnë telashe sa i përket banimit social në këtë pjesë të Prishtinës, raporton emisioni 038 në Kohavision.

Reklama e sponzorizuar

Këtu, komuna tha se do të merrej me zgjerimin e rrugës, e cila njëherësh liron edhe ngarkesën në komunikacion e derisa një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur, Lagjja e Spitalit e “Veterniku” vazhdojnë të mbushen me ndërtesa në atë që po quhet Prishtina e Re..

Sipas Driton Tafallarit nga organizata ‘’Developing Together”, në Prishtinë ekziston një mospërputhje mes planit të hollësishëm urban dhe infrastrukturës përcjellëse.

Si dhe vonesa në implementimin e projekteve të ndryshme sikur ai për zgjerimin e kësaj rruge.

Ai thotë se përkundër paralajmërimeve për nisje të projekteve, komunës i mungon transparenca për projekte të rëndësisë së tillë.

Megjithëse përkrah ndërtimet, ai shprehet se mungon zbatimi i planeve urbane me atë çka nënshkruhet në projektet fillestare.

Se gjendja aktuale në këtë pjesë të Prishtinës nuk është e mirë e thotë edhe arkitekti Bekim Ramku.

Ai thotë se në çdo zonë së pari duhet të mendohet për infrastrukturën rrugore e pastaj investimet e tjera.

E sipas banorëve në këtë kryqëzim as semaforët e vendosur nuk kanë bërë zgjidhjen e duhur.