Njoftim i ri nga ATK për tatimpaguesit

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se nga data 01 Tetor 2020 ka filluar të publikojë versionin e ri të Sistemit Elektronik – EDI, përmes të cilit do të kërkohet plotësimi dhe freskimi i informatave të tatimpaguesit.

Ky shërbim i ri elektronik për plotësimin dhe freskimin e informatave të tatimpaguesit është funksionalizuar në sistemin elektronik EDI, dhe është në dispozicion për tatimpaguesit, të cilët do të shfrytëzojnë sistemin EDI. Përmes këtij shërbimi, tatimpaguesi është i obliguar për përditësimin e informatave të tij, me qëllim që Administrata Tatimore të ketë informatat e sakta për të komunikuar me tatimpaguesin.

Më konkretisht përmes shërbimit “Plotësimi dhe freskimi i informatave të tatimpaguesit”, përveç informatave të cilat merren nga regjistri i tatimpaguesve përmes Agjensionit për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), si dhe Institucione tjera, tatimpaguesi do të jetë i obliguar për të ofruar edhe informata shtesë, si: E-mail i biznesit; Telefoni i biznesit;Mbajtësi i librave / Kontabilisti;Telefoni i mbajtësit të librave / Kontabilistit;Email adresa e mbajtësit të librave / Kontabilistit;Llogaria bankare e biznesit, etj.

Reklama e sponzorizuar

“Për plotësimin e saktë të informatave të tatimpaguesit, ATK ka përgatitur “Udhëzuesin për plotësimin e informatave në Profilin e tatimpaguesit”, të cilin do ta gjeni në dritaren përkatëse ku edhe bëhet plotësimi i të dhënave, andaj ju sugjerojmë që ta shfletoni udhëzuesin paraprakisht”, thuhet tutje në njoftimin e ATK-së. /Buletini Ekonomik/