Në vijim të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi normalizimin ekonomik, të nënshkruar në Uashington më 4 shtator, udhëheqësit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Odës Ekonomike Amerikane në Serbi kanë mbajtur një takim virtual për të diskutuar fuqizimin e bashkëpunimit dhe përpjekjet e përbashkëta për të përkrahur zbatimin e aspekteve ekonomike të marrëveshjes së nënshkruar.
Odat njoftojnë se do të sugjerojnë masa për operacionalizimin e rajonit Mini-Schengen.
“Të dyja Odat Amerikane do të punojnë së bashku për të konsultuar anëtarësitë për të identifikuar barrierat e pazgjidhura në tregti dhe për të ofruar rekomandimet konkrete për zgjidhjen e tyre, si dhe për të sugjeruar masat për operacionalizimin e rajonit ‘mini-Schengen’. Po ashtu, të dyja Odat Amerikane janë dakorduar të promovojnë bashkërisht para kompanive amerikane mundësitë e investimeve në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftim.
Siç bëhet e ditur nga komunikata, Odat Amerikane do të punojnë së bashku për organizimin e forumeve investive dhe ngritjen e vetëdijes së komunitetit të biznesit lidhur me mundësitë e financimit nga Korporata Ndërkombëtare Zhvillimore Financiare e Shteteve të Bashkuara (DFC), banka EXIM dhe agjencitë e tjera të SHBA-ve.