Kriza e pandemisë COVID-19 dhe dështimi për të arritur një marrëveshje tregtare pas BREXIT-it me Bashkimin Evropian, mund t’i kushtojë Britanisë së Madhe rreth 150 miliardë euro çdo vit në Produktin e Brendshëm Bruto.
Kështu thuhet në studimin “E ardhmja e Britanisë së Madhe: Realiteti i përbashkët i BREXIT-it dhe COVID-19”, të realizuar nga firma Baker & Mckenzie, përcjell Telegrafi.
Kryeministri Boris Johnson ka caktuar 15 tetorin si një afat për arritjen e marrëveshjes tregtare, që do të hyjë në fuqi kur Britania e Madhe të përfundojë periudhën e tranzicionit në fund të këtij viti.
Raporti thotë se pandemia COVID-19 do të reduktojë PBB-në e vendit me 2.2 për qind poshtë niveleve të pritura. Përveç kësaj, BREXIT edhe nëse arrihet një marrëveshje tregtare, do t’i shkurtojë vendit 3.1 për qind të PBB-së në afat-gjatë. Megjithatë, marrëveshja tregtare është e rëndësishme, pasi nëse ajo nuk arrihet, kosto e BREXIT-it do të rritej në 3.9 për qind të PBB në afat-gjatë.
“Pavarësisht përgatitjeve nga bizneset për të kompensuar kostot shtesë të BREXIT-it, duke rikonfiguruar zinxhirët e furnizimit, rënie e të ardhurave në eksporte për prodhuesit britanikë do të jetë e madhe”, thuhet në studim.
Kundërshtuesit e daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian thonë se, BREXIT do t’i kushtojë shtrenjtë vendit, si në para edhe në fuqi, për dekada me radhë. Nga ana tjetër, përkrahësit e BREXIT-it thonë se do të ketë kosto në afat-shkurtër, por në të ardhmen, përfitimet politike dhe ekonomike do të tejkalojnë kostot, ndërkohë që Britania do jetë e lirë të caktojë prioritetet e veta.