Pandemia godet sektorin e shërbimeve, tkurret për 34.8 për qind

Bilanci në tregtinë e shërbimeve shënoi vlerën prej 141.2 milionë euro deri në qershor 2020, një rënie vjetore prej 51.9 përqind, thuhet në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQ) “Vlerësimi tremujor i zhvillimeve makroekonomike”.

Vlera e shërbimeve të eksportuara rezulton të ketë qenë 382.8 milionë euro apo 34.8 përqind më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

Eksporti i shërbimeve ka një pjesëmarrje të lartë në BPV (24 përqind në vitin 2019) dhe përbëhet kryesisht nga eksporti i shërbimeve të udhëtimit (79 përqind e gjithsej eksportit të shërbimeve ishte eksport i shërbimeve të udhëtimit në vitin 2019), që janë kryesisht shpenzime të diasporës së Kosovës gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

“Duke pasur parasysh faktin se rreth gjysma e eksportit të shërbimeve të udhëtimit realizohet në tremujorin e tretë si dhe masave kufizuese që ndërmorën qeveritë e vendeve ku janë të koncentruar diaspora kosovare, vlerësohet se në TM3 2020 rënia e eksportit të shërbimeve ishte akoma më e lartë krahasuar me tremujorin paraprak”, thuhet në raport.

Rrjedhimisht, rënia e eksportit të shërbimeve pritet të jetë njëri prej kanaleve kryesore të transmetimit të krizës. Në anën tjetër, vlera e shërbimeve të importuara ishte 241.6 milionë euro apo 17.5 përqind më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019. Sikurse tek eksporti i shërbimeve edhe tek importi, rënie kanë shënuar shërbimet e udhëtimit, shërbimet e transportit si dhe shërbimet e ndërtimit, që kryesisht ndërlidhen me pasojat e masave kufizuese të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së virusit korona. /Buletini Ekonomik/