Punëtorët në sektorin e pastrimit me pagat më të ulëta në Kosovë

Sektori i pastrimit njihet për pagat më të ulëta në Kosovë, si dhe për shkeljet më të mëdha të të drejtave të punëtorëve. Ka raste ku paga është edhe nën pagën minimale prej 170 euro.

Erletë Rrustemi

Brenda një dite, F.S, punëtore e pastrimit në një nga institucionet e arsimit në komunën Lipjanit, harxhon mesatarisht 2,50 euro, gjersa gjatë muajit harxhon rreth 60 euro për ushqim dhe udhëtim. Paga që merr ajo për një muaj punë është 170 euro.

Reklama e sponzorizuar

F.S ka më shumë se pesë vite që e bënë këtë punë dhe e vetmja pakënaqësi që ka është paga e ulët, e cila nuk mbulon as nevojat elementare të familjes.

“Pagën çdo herë e marrim me kohë, shpesh herë kur e përfundojë orarin e punës ktu më bie me shku edhe në objektet tjera me pastru, që na dërgojnë vetë pronarët, nganjëherë punojmë ma shumë se orari i rregullt, mirëpo me diçka duhet me u ushqy”, thotë ajo.

Sektori i pastrimit, ku punon F.S., njihet për pagat më të ulëta në Kosovë, si dhe për shkeljet më të mëdha të të drejtave të punëtorëve.

Paga mesatare në këtë sektor, sipas Jusuf Azemit, Kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat, është 170 euro, por kur hiqen kontributet kjo bie në 150 euro neto. Mirëpo, paga e ulët është vetëm njëra anë e medaljes. Sipas Azemit, ekzistojnë edhe një mori shkeljesh tjera më të cilat përballet kjo sindikatë.

“Mos pagesa me rregull, mos pagesa e trustit, mos pagesa e stazhit të punës, qëndrimi i gjatë jashtë orarit të rregullt, mos respektimi i orarit vjetor, mos respektimi i pushimit mjekësor, me të cilat çdo punëtor i kompanive të pastrimit ballafaqohet”, thotë Azemi.

Mirëpo, ka raste kur punëtorët e pastrimit punojnë edhe nën pagën minimale.

Pak më mirë paguhen punëtorët e pastrimit që punojnë në kompani për largimin e mbeturinave. A.G vozitës i kamionit të mbeturinave, thotë se merr pagë prej 350 euro. Ai ankohet se shpesh i bie të punojnë jashtë orarit të punës.

“Punoj 8 orë në ditë, pra 176 orë në muaj. Punojmë edhe jashtë orarit të punës, pra deri në 40 orë jashtë orarit të rregullt që e kemi me ligj, mirëpo çdo herë paguhemi për këto orë shtesë”, shprehet ai.

Ankesa si këto, Sindikata e Pavarur e Sekotrit Privat pranon gati çdo ditë. Vetëm gjatë vitit 2020, sipas Azemit, kanë pranuar më shumë se 5 mijë ankesa për shqyrtim.

Sipas kryetarit të SPSPK-së, probleme me paga të ulëta kanë edhe punëtorët nga kompanitë e pastrimit që punojnë në qeveri dhe institucione të tjera shtetërore.

“Kur një kompani private e pastrimit për një ambient apo bllok në qeveri, ministri apo çfarëdo institucioni, duhet të kryejnë punën 20 punëtorë aty sigurisht do ta kryejnë 10 punëtorë nga presioni sepse paga e tyre keqpërdoret tek pronari i kompanisë, përkundër tenderit që ka marrë kjo kompani nga institucioni përkatës”, ka shtuar ai.

Sipas një studimi nga Inciativa Kosovare për Stabilitet, Kosova ka vendosur pagë minimale, të detyrueshme ligjërisht në vitin 2011. Paga standarde minimale mujore u caktua 170 euro (bruto), me një pagë të zvogëluar minimale 130 euro (bruto) për punëtorët nën moshën 35-vjeçare. Paga minimale i referohet punës me orar të plotë me gjithsej 174 orë në muaj. Krahasimi në mes pagës minimale mesatare (170 euro) dhe pagës mesatare në Kosovë (354 euro), tregon se paga minimale është 48.3% e pagës mesatare. /Buletini Ekonomik/