Sot në seancën e Kuvendit të Kosovës ne si subjekt i kontraktuar prapë ishim temë e diskutimit jo korrekt dhe jo etik, me të vetmin qëllim trumbetimin për përfitime elektorale dhe përfitime politike.
QAK EUROLAB ndjen keqardhje për diskutimin jopërmbajtësor e të pasaktë që parashtruan në seancë disa deputetë. Ne si subjekt i kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës shprehim indinjatën e thellë për informatat e pasakta që u hodhën në adresën tonë.
E drejta e deputetëve për nisma ligjore është një e drejtë themelore e përfaqësimit demokratik të ideve dhe propozimeve, qofshin ato individuale apo grupore, mirëpo para çdo nisme duhet vlerësuar impaktin dhe implikimet eventuale në relacionet bilaterale për të shmangur pasoja të mundshme financiare për BKK, por dhe për devijimin e rregullsisë së funksionimit të sektorit në të gjitha hallkat e tij.
QAK EUROLAB është i përkushtuar të vazhdojë ofrimin e shërbimeve të besuara gjatë periudhës ligjore të autorizimit mbi bazën e kompetencave të autorizuara dhe afatit të pritur në përputhje me Ligjin 05/L-132 dhe aktet tjera të miratuara e të nënshkruara.
Pavarësisht nismave të tilla që nuk përkojnë as me praktikat e mira, ne jemi të vullnetshëm të bashkëpunojmë me institucionet dhe të kontribuojmë profesionalisht për të ruajtur dhe mbrojtur interesin e përgjithshëm të qytetarëve për aspektet e shfrytëzimit të automjeteve.