Qytetarët kundër tarifës për veturat që hyjnë në qendër të Prishtinës

Ideja e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, për të vendosur tarifë për veturat që hyjnë në qendër të qytetit vazhdon të nxisë pakënaqësi te qytetarët. Shtimit të paqartësive i kanë kontribuar edhe vartësit e Ahmetit, të cilët kanë përmendur vlera për çmimin e mundshëm të kësaj tarife. Megjithatë, kryetari Ahmeti nuk ka pranuar të deklarohet për KOHËN për të sqaruar mënyrën se si e ka menduar Komuna realizimin e një paralajmërimi të tillë.

Në rrjetin social “Facebook”, Ahmeti ka thënë se kjo është një ide për të zvogëluar nivelin e ndotjes së ajrit përmes uljes së numrit të automjeteve në qendër. Mirëpo, shtrenjtimi i parkingjeve në qendër apo vendosja e ndonjë tarife është e papranueshme për disa nga vozitësit e automjeteve, njëri nga të cilët është edhe Shend Kabashi.

“Mendoj që është e papranueshme. E kisha sugjeruar kryetarin e Komunës të bëjë parkingje në etazha, në sipërfaqe të Komunës dhe t’ia mundësojë qytetarit që të ketë një parking të lirë. Mendoj se çdo qytetar i një lagjeje e meriton të ketë një vendparkim pa pagesë. Të tjerët që vijnë për të shfrytëzuar atë parking, atyre mund t’u kërkohet pagesa. Por, qytetari i Prishtinës ka të drejtë për një parking para banesës së tij”, është shprehur Kabashi. Kundër mundësisë për të paguar më shtrenjtë një vendparkim është edhe vozitësi Sylë Murati. “Çfarë shtrenjtimi. Ku kemi pare për parkingje, nuk po i kemi një euro e po i japim 10 euro, mos bëni hajgare. Thuaj kryetarit të Komunës të mos na bëjë këtë sepse na fikë”, ka deklaruar Murati. 

Reklama e sponzorizuar