Kryeshefi Ekzekutiv i Termokosit, Arsim Fetahu, ka thënë se borxhet e konsumatorëve ndaj ndërmarrjes janë rreth 16 milionë euro.
Fetahu tha se kanë themeluar këtë vit zyrën ligjore e cila është duke u marr me këtë çështje.
Madje ai thotë se prej muajit shtator kanë filluar edhe dërgimin e lëndëve te përmbaruesi.
“Borxhet e konsumatorëve për fat të keq janë diku rreth 16 milionë dhe kanë të bëjnë me periudhën para realizimit të projektit në kohë të gjenerimit në kohën kur është operuar me mazot mirëpo edhe në periudhat e fundit ka borxhe, por janë më të vogla”.
“Ne kemi themeluar këtë vit zyrën ligjore e cila është duke u marr me këtë çështje, mirëpo për shkak të pandemisë këta hapa kanë shkuar më ngadalë. Por prej fillimit të muajit shtator kemi filluar dërgimin e lëndëve te përmbaruesi dhe jemi duke vazhduar”, tha ai për EO.
Fetahu tha se do të startojnë me ngrohje prej datës 15 tetor. Ai shton se për ndryshimin e tarifave është përgjegjëse ZRrE-ja.
“Ne duhet të jemi të gatshëm me datën 15 tetor kur ligjërisht jemi të obliguar të startojmë me ngrohje gjithmonë duke u bazuar në temperaturat e jashtme atmosferike dhe nëse janë konditat e duhura, atëherë ne do të startojmë me ngrohje me datën 15 tetor”.
“Ndryshimi i tarifave është përgjegjësi e ZRrE-së. Ne kemi aplikacionin të dërguar nga ta dhe ata janë në fazën e vendimmarrjes dhe çkado që të jetë vendimi i tyre ne jemi të obliguar ta zbatojmë”, shtoi Fetahu.
Fetahu ka thënë se deri më tash në këtë ndërmarrje kanë qenë vetëm gjashtë punëtorë të infektuar me virusin COVID-19 dhe se kjo nuk ka shkaktuar ngecje në menaxhimin e punëve.