​Rukiqi: Pakënaqësia e bizneseve më e larta që nga paslufta

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka prezantuar sot klimën e biznesit për tremujorin e dytë të këtij viti, ku tha se 80 përqind e bizneseve e vlerësojnë gjendjen e tyre të pakënaqshme.

Ai tha se klimën e biznesit dhe konfidencën e kanë vlerësuar në katër sektor si tregtia, prodhimi, ndërtimtaria dhe shërbimet, e që tha se është një ndër gjendjet më të pakënaqshme të biznesit që nga paslufta.

Rukiqi u shpreh se vetëm 35 përqind e bizneseve presin rritje të numrit të punëtorëve, ndërsa 52 nuk presin që të rritin numrin e të punësuarve.

Reklama e sponzorizuar

“Nëse e shohim analizën për tremujorin e dytë të vitit 2020 shohim që është një ndër gjendjet më të pakënaqshme të biznesit që nga koha kur ne e matim këtë dhe sigurisht që nga paslufta. 80 përqind e bizneseve e kanë vlerësuar gjendjen e tyre të pakënaqshme. Nëse e krahasojmë këtë me tre mujorin e parë të vitit është diku një situatë apo një pakënaqësi 47 përqind më e lartë se në tre mujorin e parë. Gjithashtu, nëse i shkojmë tutje dhe i shohim pritet për punësim të bizneseve që zakonisht flasim për një periudhë tre mujore apo në periudhën në vijim vetëm 35 përqind e kompanive presin rritje të numrit të punëtorëve, ndërsa pjesa tjetër që është pjesa dërrmuese nuk kanë pritje të tilla, do të thotë mbi 52 përqind e kompanive nuk presin me rrit punësimin. Pra është një trend në rënie që është realisht një ndër tre mujorët me bilancin më negativ”, tha ai.

Rukiqi potencoi se 38 përqind e bizneseve presin që situata biznesore të përkeqësohet në gjashtë muajt e ardhshëm.

Tremujorin e dytë të këtij viti, kreu i Odës Ekonomike të Kosovës e ka vlerësuar si më negativin edhe sa i përket konfidencës së bizneseve.

“Zakonisht kemi pasur konfidencë të ulët kur kanë qenë këto krizat politike, kriza e pandemisë ka ndikuar që indikatori i konfidencës të jetë diku në rënie -44.7 të përqindjes. Pra, jemi duke folur për 80 përqind të bizneseve që e vlerësojnë gjendjen e tyre të pakënaqshme dhe me një pjesë dërrmuese që tregon që konfidenca e bizneseve ka një rënie të madhe dhe e cila është jashtëzakonisht shqetësuese, sepse nëse lidhemi tek konfidenca ajo që po vlerësohet në të gjitha raportet ndërkombëtare qysh të trajtohen pasojat e pandemisë, fokusi është rritja e konfidencës së qytetarëve dhe të bizneseve…Gjendja në pjesën shëndetësore, pra sa më i madh që po është numri i rasteve konfidenca po bie dhe po bien qarkullimi në biznes, apo konsumatorët po hezitojnë të shpenzojnë dhe sa më i ulët po është numri i rasteve, qysh ka ndodh gjatë tetorit kur bizneset kanë pasur një qarkullim më të mirë atëherë po rritet edhe konfidenca”, tha ai.

Roli i qeverisë këtu tha është që të menaxhojë pandeminë që të mos ketë shpërthim të pandemisë dhe të fus mjete në qarkullim.

Ai derisa ka përshëndetur miratimin e pakos së rimëkëmbjes ekonomike, tha se do të propozojnë edhe masa të tjera që të bëhen pjesë e kësaj pako.

“Të propozojmë edhe subvencionimin e normave të interesit për bizneset, një pjesë të tyre, të futet brenda këtij ligji për shkak se normat e interesit apo pagesat mujore që i kanë bizneset pavarësisht që i kanë ri-programuar kreditë, është diçka që po shndërrohet në barrë të papërballueshme, sidomos për bizneset të cilat kanë vlera të mëdha të kredi marrjes dhe është shumë më rëndësi që këto bizneset të përkrahen. Gjithashtu, është për t’u vlerësuar që ai propozimi ynë që ka qenë për këtë masën për likuiditet, që ka filluar të shpërndahet dje ka filluar të japë rezultatet e para. Ka jashtëzakonisht një pritje pozitive të biznesit dhe ne shpresojmë që qeveria dhe do të bëjmë presion që qeveria të vazhdojë edhe me masat tjera që i kemi propozuar, sidomos për përkrahjen e eksportit të radhës, po normalisht edhe masa të tjera që janë për stimulimin e kërkesës agregate, pra që ndikojnë në rritjen e fuqisë blerëse të konsumatorit”, tha ai.

I pari i OEK tha se ka një rritje jo shumë normale të depozitave në banka në kohën kur kemi rënie të konsumit, ai tha se ajo çka duhet të bëjë Qeveria është që me politikat e saj të nxisë qytetarët të shpenzojnë që pastaj ajo të ndikojë në ekonomi.