Vetëm gjatë këtij gjashtëmujori të 2020-s, familjet kosovare pranuan gjithsej 433 milionë euro në formë të remitencave nga familjarët e tyre që jetojnë në diasporë, përcjell Buletini Ekonomik.
Gjatë vitit 2012, më shumë se 22 përqind e familjeve kosovare kishin deklaruar se pranojnë remitenca nga familjarët e tyre. Ndërkohë në vitin 2019, mbi 850 milionë euro u dërguan nga jashtë apo rreth 12.2 përqind e Bruto Produktit Vendor (BPV), kurse në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, mbi 433 milionë euro janë dërguar nga jashtë në forma të ndryshme.
Krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2019, këtë vit remitencat shënuan një rritje për mbi 27.5 milionë euro apo rreth 7 përqind.
Sipas raportit të fundit të Institutit GAP, me titull “Ndikimi i pandemisë COVID-19 në ekonominë e Kosovës”, kjo mund të ketë ndikuar në rritjen e konsumit final të ekonomive shtëpiake që në tremujorin e dytë pati një ngritje prej 3.47 përqind.
Kujtojmë se remitencat, përveç që kanë karakter zhvillimor në stimulimin e kërkesës në ekonominë e vendit dhe qarkullimit të parasë, kanë edhe aspektin pozitiv social.
Megjithatë, kufizimet e lëvizjes përmes kufirit tokësor dhe ajror pamundësuan ardhjen e diasporës, të cilët stimulojnë ekonominë gjatë gjithë vitit, e veçanërisht në muajt e verës kur realizohet rritja më e madhe ekonomike në vend.
Një tjetër komponentë stimuluese e Bruto Prodhimit Vendor janë edhe investimet e huaja direkte.
Në gjatëmujorin e parë të këtij viti, Kosova pranoi mbi 164.7 milionë euro investime të huaja direkte (IHD) apo rreth 54 milionë më shumë se në periudhën e njëtë të vitit të kaluar. Kjo rritje kryesisht ishte për shkak të tremujorit të parë i cili kishte një rritje prej 50 përqind. Këto investime ishin kryesisht nëpër miniera, energji dhe patundshmëri.
“Kjo ngritje paraqet një tjetër element stimulues që pamundësoi zvogëlimin e BPV-së në tremujorin e parë të këtij viti përkundër mbylljes së ekonomisë për më shumë së gjysmë muaji gjatë periudhës janar-mars”, thonë tutje nga Instituti GAP, në studimin e fundit.
Ndryshe, edhe ato pak investime të huaja që vijnë në Kosovë nuk shkojnë në sektorë që do të gjeneronin vende të reja pune. Rreth 90 për qind e investimeve të huaja në vitin 2019 kishin shkuar në sektorin e patundshmërive, përcjell Buletini Ekonomik.
Kryesisht ‘investitorët’ janë nga diaspora që paratë po i investojnë në blerjen e banesave. Sipas “Raporti vjetor 2019” të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Investimet e Huaja Direkte (IHD) arritën vlerën prej 271.8 milionë euro, që paraqet nivel pothuajse të ngjashëm me atë të vitit 2018 (272.1 milionë euro).
“IHD-të në formë të instrumenteve të borxhit shënuan vlerën prej 20.0 milionë euro (8.8 milionë euro në vitin 2018). Rritje e IHD-ve u evidentua kryesisht në sektorin e patundshmërive, i cili përbënë rreth 87.1 përqind në gjithsej IHD-të dhe sektorin e industrisë, i cili ka një pjesëmarrje prej 3.9 përqind në gjithsej IHD-ve. Në anën tjetër, sektorët që shënuan rënie ishin kryesisht sektori i ndërtimtarisë dhe ai i tregtisë”, thuhej në raportin e BQK-së. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/