Standardi i jetesës për kosovarët vazhdon të jetë i varfër në krahasim me vendet e rajonit. Brenda një viti, një familje në Kosovë ka në dispozicion mesatarisht 7 mijë e 803 euro.
Kaq është konsumi i llogaritur nga Agjencia e Statistikave të kosovës (ASK) në anketën me titull “Rezultatet e Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare 2017”.
Bazuar në këtë anketë shihet se pesë kategoritë kryesore të konsumit që qytetarët shpenzojnë më shumë janë ushqimi, banimi, transporti, veshmbathjet, alkooli dhe duhani ku paraqesin 83 përqind të konsumit të përgjithshëm.
Ndërkaq shtatë kategoritë tjera të konsumit si mobiliet, shëndetësia, komunikimi, rekracioni, hotelet dhe restorantet si dhe arismi shpenzohet vetëm 17 përqind të konsumit të familjeve në Kosovë.
Specifikisht sipas llogaritjeve për vitin 2017 shpenzimet më të medha në familje janë bërë për ushqim edhe për pije joalkolike ku përfshin një shumë prej 3.089 euro. “Pjesa më e madhe e buxhetit të ekonomive familjare shfrytëzohet për ushqim dhe pijet joalkoolike dhe është llogaritur 3.089 euro për vitin 2017 apo 40 përqind të konsumit të përgjithshëm. Shpenzimet për ushqim dhe pijet joalkoolike në ekonomitë familjare paraqesin një rënie prej 3 përqind krahasuar me vitin 2016” thuhet në raport.
Ndërsa një përqindje e vogel e shpenzimeve rreth 12 përqind i është kushtuar mallrave dhe shërbimeve të tjera ku përfshihen shërbime për rregullim të flokëve, mallra për nevoja personale, shpenzime për sigurime dhe shpenzime tjera financiare.
“Ky grup është një përzierje e shpenzimeve për mallra dhe shërbime për rregullim të flokëve, mallra për nevoja personale, shpenzime për sigurime dhe shpenzime tjera financiare. Në vitin 2017 krahasuar me vitin 2016, shënohet rritje të këtyre shpenzimeve në total rreth 12 përqind dhe në vendbanime rurale 26 përqind. Në vendbanime urbane shënohet rënie e lehtë prej 3 përqind”.
Sipas anketës, vërehet një trend i rritjes së konsumit tek ekonomitë familjare që jetojnë në zona urbane. /Blendrita Avdiu/