SHBA-ja diskuton për burimet ujore e energjetike të Kosovës

Departamenti Amerikan për Energji, dje ka qëndruar në Kosovë ku ka zhvilluar një takim me udhëheqës të bizneseve dhe energjisë, lidhur me mbështetjen e SHBA-së për diversifikimin e energjisë.

Në një postim të sotëm në Facebook nga Ambasada amerikane, theksohet se sa është e rëndësishme menaxhimi i mirë për të tërhequr investitorë.

“Diversifikimi i burimeve të energjisë në Kosovë, duke përfshirë një ndryshim në alternativa të qëndrueshme, është çelësi për të siguruar mbrojtjen dhe prosperitetin në Kosovë. Diskutimet e sotme do të përqendrohen në mënyrën se si menaxhimi i burimeve ujore dhe të energjisë, përtej rajonit dhe përtej kufijve, mund të tërheqë investime të reja dhe të rezultojë në përfitime ekonomike afatgjata për të dyja vendet Kosovë dhe Serbi”, thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

Në Marrëveshjen e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në Washington, një prej pikave që janë pajtuar është edhe përdorimi i përbashkët i Ujmanit.

Të dyja vendet u patën pajtuar të punojnë me Departamentin amerikan për Energji, për studim fizibiliteti në mundësinë e përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si burim për ujë dhe furnizim me energji.