Prokuroria Speciale e Kosovës ka urdhëruar sekuestrimin e tri veturave të personave që janë të përfshirë në vjedhjen e 2 milionëshit, raporton Express
Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh, ku është theksuar se rasti ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Drenas.
“Drenas 09.10.2020 – NN. Me 24.10.2020 21:30. Lidhur me rastin, me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, janë sekuestruar tri vetura. Rasti është duke vazhduar të hetohet”, njofton Policia.
Si dyshohet se ndodhi ngjarja:
Katër herë me radhë, zyrtari i Thesarit dyshohet se ka transferuar 2,077,995.90 eurot e shtetit në llogarinë e kompanisë “LDA Group”, me bazë në Llapushnik të Drenasit, pronarët e së cilës ndodhen në arrati.
Gazeta Express mëson nga burime të sigurta se në llogarinë e “LDA Gruoup” fillimisht ishin transferuar 622 mijë euro, herën e dytë 375 mijë, pastaj 330 mijë dhe për herë të fundit 750 mijë euro.
Burime të Express bëjnë të ditur po ashtu se hetimi për këtë vjedhje përfshin 40 njerëz, të cilët në forma të ndryshme dyshohet se janë bërë protagonistë të këtij skandali.
Skandali i vjedhjes së mbi dy milionë eurove nga buxheti i shtetit është planifikuar mbi një strategji që gjeti zbatim për 8 minuta, sipas dosjes së Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Në kërkesën për caktimin e paraburgimin ndaj të arrestuarit Labinot Gruda, Prokuroria ka treguar se në Ministrinë e Financave, Labinot Gruda për 8 minuta kishte krijuar usera fiktivë që do të duhej të dukeshin si të ishin të punëtorëve të këtij dikasteri, e që do t’i mundësonin atij pastaj që kundërligjshëm t’i transferonte 2,077,995.90 euro në llogari të kompanisë “LDA Group”, pronë e Kadri dhe Valon Shalës, të cilët janë arratisur.
Për të arrestuarin e vetëm për këtë rast, zyrtarin e Thesarit, Labinot Gruda, Gjykata Themelore e Prishtinës sot ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.