Sektori pensional gjatë vitit 2019 ka rikuperuar plotësisht humbjet prej investimeve të ndodhura në vitin 2018.
Sipas raportit vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), deri në dhjetor 2019, sektori pensional realizoi kthim pozitiv nga investimet në vlerë prej 161.9 milionë euro (humbje prej 84.9 milionë euro në vitin 2018), si rrjedhojë e zhvillimeve pozitive në tregjet financiare ndërkombëtare, përcjell Buletini Ekonomik.
Çmimi i njësisë për FKPK-së u rrit në 1.51 euro nga 1.39 euro sa ishte në ditën e fundit të muajit dhjetor 2018, kurse çmimi i njësisë së FSKP-së u rrit në 178.7 euro nga 156.6 euro sa ishte në fund të dhjetorit 2018. Sektori pensional është mjaft i varur nga luhatjet në tregjet e huaja pasi që rreth 75 përqind e mjeteve janë të investuara në sektorin e jashtëm.
“Tremujori i parë i vitit 2019 filloi me një rikuperim të humbjeve të realizuara gjatë vitit 2018 (humbje prej 84.9 milionë euro) dhe arriti të shënojë kthimin nga investimet në vlerë rekorde të regjistruar ndonjëherë, prej 161.9 milionë euro. Kjo rritje e lartë e fitimit u ndikua nga shumë faktorë siç janë një ambient më i favorshëm ekonomik në tregjet e huaja (investime kryesisht të koncentruara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës) gjatë vitit 2019, rrezikshmëri më të ulët nga recesionet ekonomike, zbutje të marrëdhënieve tregtare SHBA-Kinë, fitime të kënaqshme të korporatave, etj”, thuhet në raport.
FKPK, e cila dominon asetet e sektorit pensional me pjesëmarrje prej 99.6 përqind, po ashtu rriti investimin në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës, të cilat arritën vlerën prej 299.2 milionë euro (209.0 milionë euro në vitin 2018), apo e shprehur si pjesëmarrje në gjithsej asetet e sektorit në 15.2 përqind nga 12.4 përqind në vitin 2018.
Në të njëjtën kohë, vlera e investimeve në fondet e përbashkëta investive jashtë vendit u rrit në 1.48 miliardë euro, që përfaqëson 75.2 përqind të gjithsej aseteve të sektorit për dallim nga 73.0 përqind në vitin 2018, apo në vlerë prej 1.23 miliardë euro. Po ashtu dhe investimet në certifikata të depozitit në sektorin bankar në vitet e fundit ka shënuar rritje, duke arritur vlerën prej 185.7 milionë euro në fund të dhjetorit 2019, apo pjesëmarrje prej 9.4 përqind në gjithsej asetet e sektorit. /Buletini Ekonomik/