Prania e Inteligjencës Artificiale dhe robotikës po rritet shpejt në industri. Në nivel botëror, në sektorin e prodhimit, sot janë të instaluar 113 robotë industrialë çdo 10.000 punonjës, në rritje krahasuar me 74 robotë vetëm katër vite më parë
Rritja e përdorimit të robotëve ka filluar me të vërtetë. Të dhënat nga International Federation of Robotics (Federata Ndërkombëtare e Robotëve) tregojnë se ritmi i automatizimit industrial po përshpejtohet në pjesën më të madhe të botës së zhvilluar, me 74 robotë industrialë të instaluar për çdo 10 000 punonjës në të gjithë botën, në vitin 2016.
Deri në vitin 2020, ky numër është rritur në 113 robotë në sektorin industrial. Sot, dendësia e robotëve në Azi është 118 njësi çdo 10 000 punëtorë. Kjo shifër është 114 dhe 103 njësi përkatësisht në Europë dhe në Amerikë. Kina është një nga vendet që po regjistron nivelet më të larta të rritjes në automatizimin industrial, por asnjë vend tjetër nuk ka një dendësi robotësh si Koreja e Jugut.
Në vitin 2019, Koreja e Jugut kishte të instaluar 855 robotë industrialë për 10 000 punonjës. Kjo vjen kryesisht për shkak të instalimit të robotëve me vëllim të lartë në sektorët elektronikë dhe elektrikë. Gjermania dhe Japonia njihen për industrinë e tyre të automobilave dhe kanë nivele dendësie rreth 350 robotë për 10 000 punëtorë. Japonia është një ndër aktorët kryesorë në robotikën industriale dhe përfaqëson më shumë se gjysmën e ofertës globale.
Image: Statista
Në Shtetet e Bashkuara, ritmi i automatizimit është më i ngadaltë, me një normë dendësie 228 robotë në 10 000 punëtorë. Kina është e etur të zgjerojë nivelin e automatizimit në vitet e ardhshme dhe synon të renditet ndër dhjetë vendet e para në botë për dendësinë e robotëve brenda 2020.
Në vitin 2013, në Kinë, norma e dendësisë ishte 25 njësi, e cila është rritur në 97 robotë për 10 000 punëtorë brenda vitit 2017. Dy vite më pas, në 2019, kjo shifër u rrit edhe një herë në mënyrë të konsiderueshme deri në 187 robotë.
Burimi World Economic Forum