Vjedhja e dy milionë eurove në Thesarin e Shtetit, flasin ekspertët e sigurisë: Veprime të tilla mund të ketë pasur edhe më parë

Mbi dy milionë euro janë “avulluar” nga Thersari i Shtetit, nga punëtorë të kësaj të fundit, shkruan GazetaBlic.

Për këtë, një zyrtar i Ministrisë së Financave është arrestuar, kurse dy persona të tjerë janë në arrati.

Vjedhja e dymilionëve nga ky institucion i Kosovës, për njohësin e çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, është akt kriminal, me ç’rast edhe ka kërkuar nga Prokuroria që t’i hapë hetimet.

Reklama e sponzorizuar

Duke kërkuar nga kjo e fundit për hapjen e këtyre hetimeve, Shala për GazetaBlic ka deklaruar se veprime të tilla mund të ketë pasur edhe më parë.

“Sipas mendimit tim, veprimi i bërë në MTI e konsideroj veprim i strukturar kriminal. Prokuroria Speciale e Kosovës duhet t’i hap hetimet edhe përtej këtij rasti, sepse po më len me dyshu që veprimet e tilla ka mund të ndodhin edhe në të kaluaren dhe çdo pagesë e bërë nga ky mekanizëm, duhet t’i nënshtrohet një procesi të gjerë hetimor”, deklaroi Shala për Gazeta Blic.

Përkitazi me këtë, Shala konsideron se institucionet e sigurisë nuk kanë mundur të kryejnë ndonjë veprim në kohën që është kryer vjedhja, pasi siç ka thënë ai,  ky veprim u bë në një konspiracion të thellë.

Ai ka shtuar se tani Kosovës i duhet një mekanizëm i ri, i cili sipas tij, fushë-veprimin duhet ta ketë luftimin e krimit të organizuar.

“Institucionet e sigurisë në fazen që është kryer ky veprim nuk kishin mundur edhe të veprojnë, për arsyje që veprimi i keti grupi ishte në konspiration të thellë, por vetëm pas bërjes publike ato tani me veçse janë duke vazhduar me procedurën hetimore konfrom kodit penal dhe ati procedural. Kosovës i duhet një mekanizem i ri (Byroja Nationale Hetimit) që fushë-veprimin e kanë luftimin e krimit të organizuar dhe veprave penale me karakter korrupcionit dhe krimeve ekonomike, e cila do kishte me vepru në mënyrë të pavarur në bashkërendim me Prokurorinë Speciale të Kosovës”, vlerëson ai.

Duhet potencuar se në ditën e njëjtë kur është zbuluar skandali për vjedhjen e rreth 2 milionë eurove në Thesarin e Shtetit, një tjetër vjedhje ka ndodhur në institucionet e Kosovës.

Në objektin e e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK), sot është vjedhur një kasafortë. Këtë për GazetaBlic e kanë konfirmuar edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës si dhe Policia e Kosovës.

Pas këtyre dy skandaleve të vjedhjeve, opozitarët kanë kërkuar dorëheqjen e Qeverisë Hoti.