Një vjedhje ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Fushë Kosovë. Dy persona dyshohet se kanë marrë pazarin ditor nga punonjësi i një marketi dhe kanë ikur nga vendi i ngjarjes, raporton Express
Vjedhja ka ndodhur gjatë kohës kur punonjësi i marketit ishte duke shkuar në bankë për të deponuar paratë e pazarit.
Gazeta Express nga burimet mëson se shuma e të hollave të vjedhura është rreth 50 mijë euro.
Ndërkohë, për këtë rast mëngjesin e sotëm është deklaruar edhe Policia e Kosovës.
Policia ka njoftuar se rasti ka ndodhur rreth orës 09”00, në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë Kosovë.
Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, në një deklaratë për Express ka thënë se bazuar në informatat e deritanishme, vepra është kryer nga dy persona të dyshuar.
Ajo ka bërë të ditur se pas vjedhjes, të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me veturë.
“Mbështetur në informatat e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet, dyshohet se vepra është kryer prej dy personave të dyshuar, të cilët pasi kanë grabitur një shumë të konsiderueshme parash, me shpejtësi me një veturë të dyshuar, janë larguar nga vendi i ngjarjes. Aktualisht policia e mbështetur edhe nga prokurori i shtetit po punon me përkushtim për të identifikuar të dyshuarit e mundshëm, veturën me të cilën janë larguar si dhe vendndodhjen e tyre”, ka thënë Ahmeti.